Kurti: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut mbetet dokument i çmuar historik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kujtoi 33-vjetorin e e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
Ai u shpreh në historinë e përpjekjeve për Republikën e Kosovës, data e 2 korrikut e vitit 1990, është një kapërcim i madh dhe i pakthyeshëm.
Kurti potencoi se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 mbetet dokument i çmuar historik.
“E kërkuar veçanërisht nga demonstratat e vitit 1981 e tutje, Republika e Kosovës për të cilën u miratua kjo deklaratë kushtetuese, do të shpallej dy muaj më vonë më 7 shtator 1990 në Kaçanik, me anë të miratimit të një kushtetute nga po këta delegatë. Ndonëse atë kohë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës e viteve ’90-të të shekullit të kaluar, u jetua politikisht dhe u mirëmbajt intensivisht nga populli i Kosovës si një republikë për rezistencë ndaj Serbisë fashiste, e cila Kosovën e pushtuar në vitin 1912, po e mbante të okupuar nën Jugosllavi. E hartuar si një “akt i vetëvendosjes politike” duke u thirrur “në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve”, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit tonë si komb, për republikën e parë të Kosovës.”, shkroi Kurti ndër të tjera në “Facebook”.
Sot janë bërë 33 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut. Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.