Kurti dhe Nikolla diskutuan për situatën në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, me të cilën biseduan për situatën aktuale dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve.
Nikolla e falënderoi kryeministrin për ndihmën që shteti i Kosovës ia ka ofruar Shqipërisë gjatë tërmetit dy vjet më parë, dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve që shpërthyen shkaku i temperaturave të larta.
Kryekuvendarja tha se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo tha se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët.
Nga ana e tij, Kurti e përgëzoi Nikollan për detyrën e re dhe u pajtua që duhet intensifikim i bashkëpunimit, sepse siç tha ai, janë të gjitha mundësitë që të zëmë hapin si komb.
Po ashtu tha se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.
U diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës, që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri ritheksoi se vendimi është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.
“Në asnjë vendkalim kufitar nuk ka pasur incidente, ndërsa Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”, tha kryeministri, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.
Lidhur me situatën aktuale kryeministri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it, dhe se Kosova është e gatshme për dialog, porse Serbia po refuzon./21Media

Back to top button