Kurti do të takohet me Vuçiqin, të pranishëm edhe Merkeli e Macroni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që ka nisur në Kranj të Sllovenisë.
Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai ka bërë të ditur se në takim do të jenë të pranishëm edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Po, në kuadër të një takimi multilateral ku janë të pranishëm edhe kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Macron”, ka thënë Kryeziu për rtv21.tv
Kryeministri Kurti sot ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet për të qenë Evropë.
Ai ka thënë se kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur Komisioni Evropian ka rekomenduar për të dytën herë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që, siç u shpreh Kurti, kanë vuajtur shumë.
Në Samitin e Brdos në Slloveni, Kosova po përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati./21Media

Back to top button