Kurti e Abdixhiku do të takohen të mërkurën

 

Të mërkurën (26 maj) do të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut.

Lajmin e bëri të ditur për rtv21.tv zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi. “Takimi do të mbahet, të mërkurën (26 maj) duke filluar nga ora 11:00”, ka informuar Halimi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti më 20 maj iu ka dërguar ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend, Enver Hoxhajt të PDK-së, Lumir Abdixhiku të LDK-së dhe Ramush Haradinajt të AAK-së. Sipas njoftimit, takimet do mbahen për çështje me interes të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj më 21 maj, përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga Kurti. Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj më 21 maj ka deklaruar do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti për koordinim rreth temave nacionale, duke përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi./21Media

Back to top button