Kurti e lavdëron punën e ATK-së në mbledhjen e borxheve

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave Hekuran Murati moren pjesë në ditën e dytë të punëtorisë ndërkombëtare, lidhur me përmirësimin e menaxhimit të borxhit tatimor. Sipas Kurtit performanca e mirë e këtij institucioni është motiv që qytetarët të paguajnë tatimet dhe t’i besojnë institucioneve që po e luftojnë edhe korrupsionin.
“ATK-ja ka përmirësuar inkasimin e të hyrave. Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2022 janë inkasuar 542.8 milionë euro tatime që paraqesin të hyra rekord. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kemi rritje prej 95.8 milionë euro apo 21.4 për qind. Ndërsa në krahasim me planin tonë, kemi tejkalim të tij për 33.9 milionë euro apo 6.7 për qind. Një ndër reformat më të kryesore është ajo për konsolidimin e funksionit të mbledhjes së borxheve, e cila ka ngritur cilësinë e menaxhimit të borxheve tatimore”, tha Kurti.
Ai tregoi edhe arsyet pse janë rritur të hyrat e ATK-së.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se bashkëpunimi i ATK-së me institucionet e tjera ka bërë që të ketë performancë më të mirë të të hyrave.Ai i ka siguruar këtij institucioni mbështetje të vazhdueshme me synim rritjen e efikasitetit.
“Vitin që lamë pas ka pasur rritje të të hyrave prej mbi 28 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Disa mund të thonë se viti 2020, ishte vit i pandemisë dhe i vështirë, megjithatë mund t’iu them se trendi ka vazhduar. Për nëntë mujorin e parë të këtij viti rritja e të hyrave shënon 21.4 për qind në raport me vitin 2021. Përveç rritjes së të hyrave, ATK-ja ka shënuar progres edhe sa i përket reformës në funksionin e mbledhjes së borxheve. Sigurisht me inicimin e kësaj reforme kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Murati.
Drejtori i ATK, Ilir Murtezaj vlereson se janee shënuar tee arritura në aspektin e të hyrave, duke përmendur edhe reformat e bëra në këtë drejtim dhe mekanizmat e krijuar brenda institucionit.
“Rritja e të hyrave nuk janë indikator i vetëm që tregojnë performancën e mirë të Administratës Tatimore të Kosovës. Ne kemi bërë shumë reforma, duke filluar me reformimin e funksionit të rimburësimeve, reformimit të funksionit të menaxhimit të rreziqeve të përmbushjes tatimore. Pastaj rritjes e shërbimeve digjitale për tatimpaguesit, si dhe reformën kryesore që ka të bëjë me menaxhimin me mbledhjen e borxheve”, tha Murtezaj.
Punëtoria ndërkombëtare lidhur me përmirësimin e menaxhimit të borxhit tatimor organizohet për herë të parë në Kosovë nga CEF Qendra e Ekselencës Financiare, Slloveni, nё bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Administratën Tatimore tё Kosovës dhe Administratën Tatimore tё Holandës./21Media 

Back to top button