“Kurti është paraqitur në emër të Kosovë në një pozitë nënshtruese, platforma ishte e mjerueshme”

 
Pikat e propozuara nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e parë përballë palës serbe në Bruksel, po i konsideron platformë të mjerueshme ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri. Diplomatja kosovare tha se ky është dialog i fazës finale dhe Kurti është dashur të paraqes si pikë të parë kërkesën për njohje reciproke në mes të dy shteteve, në kufijtë aktual. Në një interviste për Kp, Tahiri theksoi nevojën që dialogu me Serbinë të mirret seriozisht nga kryeministri i Kosovës dhe sipas saj, Kurti duhet të shkojë në takimin e dytë me një platformë të votuar nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas Tahirit, Kurti është paraqitur i papërgatitur në takimin e parë përballë palës serbe në Bruksel. Ajo vlerëson se Kurti ka gabuar duke shkuar në takim pa një rezolutë dhe platformë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Si takim i parë që tash është tepër i rëndësishëm, platforma që pash ishte e mjerueshme…Nga ato katër pikat që i pash, të Kurtit, që ishin në media, e vlerësova si një platformë shumë të dobët sepse i mungonte koncepti i qartë se për çka bëhet fjala në këtë dialog. Ky është dialog i fazës finale, andaj pika e parë dhe kryesore u deshtë të jetë kërkesa për njohje reciproke në mes të dy shteteve në kufijtë aktual. Ndërkohë që ajo pikë fare nuk ishte në atë platformë, kishte filluar me temën e CEFTA-s, nuk e kuptova pse por mendoj që deshti me e kundërshtu atë që e pranoi në Tiranë, që e pranoi tregun e përbashkët e që është një Minishengen, pra ishte përpjekje për ta neutralizuar”, tha Tahiri.
Sipas saj, në takimin e parë me palën serbe, Kurtit i ka munduar platforma që do të përmbante çështjen e reparacioneve të luftës dhe suksesioni.
“Platforma nuk e kishte çështjen e reparacioneve të luftës, ishte përfshirë vetëm çështja e të pagjeturve ndërkohë që ne kemi një gjenocid që ai fare nuk e përmendi, a nuk guxoi a, nuk e kuptova, kemi dhunimin e grave, mijëra vrasje, tortura e abuzime dëbimin e 1 milion shqiptarëve, pastaj nuk e kishte pikën për suksesionin… Zoti Kurti e ka pasur gati platformën të cilën e kemi lënë ne si qeveri në vitin 2014 dhe është në ‘web site’ të qeverisë, vetëm ka pasur nevojë të ulet dhe ta lexojë dhe ta studiojë, dhe mos të dalë me kësi lloj platformë të dobët që në fakt ia ka ulë pazarin Kosovës në këto negociata sepse u deshtë të dalë me parimet kryesore e që i përmenda pak parëz”, shtoi ajo.
Tahiri tha se një pikë bashkëpunimi ndërshtetëror do të duhej të përmende vetëm nëse respektoheshin pikat paraprake.
“Në negociatat ndërkombëtare bëhesh inferior kur e ke platformën e dobët, pra negociatat nuk janë vetëm mënyra si pozicionohesh në uljen apo e tensionon situatën, sepse gjithmonë ka mundësi me u tensionu për shkak se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë dhe normal që një reagim i Kosovës e nxit Serbinë në tension. Tensionet nuk janë të rëndësishme, me rëndësi është çfarë platforme ke paraqitur dhe çfarë po dëshiron të arrish në këtë dialog. Prandaj për shkak të një platforme që vet ai e shpalli me katër pika, për mua ka dëmtuar Kosovën dhe është paraqitur në emër të Kosovës në një pozitë nënshtruese, sikur ka pasur frikë që në platformë të fus njohjen reciproke në kufijtë aktual, ajo është kryesorja sepse tashmë që 10 vite po flasim me Serbinë në Bruksel, kjo është kohë e përfundimit të dialogut dhe rezultati duhet të jetë njohja reciproke sepse vetëm njohja reciproke krijon një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon dhe në Evropë”, tha ajo.
Ish kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë u shpreh se Kurti duhet të përgatitet për takimin e dytë me palën serbe, që sipas saj, duhet të punojë me opozitën parlamentare në Kosovë për një delegacion uniteti.
“Pas këtij dështimi që e pati Kurti duhet të mirret seriozisht me dialog, sepse ai paralajmëroj se dialogu është prioritet i tetë, tash ai e pa edhe vet është u bë prioritet numër një, prandaj ai tani duhet të angazhohet për dialog dhe t’i jap rëndësi dialogut të Brukselit dhe kjo rëndësi do të thotë që të punojë bashkë me opozitën parlamentare për një delegacion uniteti aq sa është e mundur, të përgatisë platformën, ta paraqes në Kuvend, Kuvendi ta miratojë pastaj do të jetë i përgatitur që raundin e dytë të jetë mbrojtësi i interesave të Kosovës”, tha Tahiri.
Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë për herë të parë në takim përballë presidentit serb, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas takimit në Bruksel, Kurti ka shkruar se ka shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv dhe njohje të ndërsjellë.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut ndërkohë ka bërë publike propozimet e tij të shtruara aty.
“1.Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 2.Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty. 3.Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. 4.Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit Kurti, pala serbe nuk është përgjigjur për propozimin e parë, ndërkohë pikat e tjera i ka refuzuar.
Takimi i radhës në Bruksel pritet të mbahet në muajin korrik, para pushimit të verës./kp

Back to top button