Kurti i përgjigjet Sekretarit amerikan: Mezi pres të punojmë bashkë

Kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur letrën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke thënë se mezi pret të punojnë së bashku.
Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Blinken kishte thënë se duhet të arrihet marrëveshje për çështjen e energjisë në veri të Kosovës e të avancohet me çështjen e personave të pagjetur.
Blinken kërkoi nga Kurti që të kthehet momentumi në dialog, ndërsa ka bërë thirrje që ai të mbështesë zotimet paraprake të Kosovës e të shmangë retorikën që mund të rrisë tensione. Blinkeni ka kërkuar që Qeveria të mbështesë vendimet gjyqësore – në veçanti ato që lidhen me të drejtat e minoriteteve.
Këto ndërlidhen me presionet e fundit që SHBA-ja dhe partnerë të tjerë të Kosovës kanë bërë për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe për tokën rreth Manastirit të Deçanit.
Ndërsa, kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Kosova i është mirënjohëse ndaj SHBA-së në përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qëllim final njohjen reciproke.
“Unë e mirëpres letrën e Sekretarit Blinken dhe mbështetjen e tij për prioritetet tona në punësim dhe drejtësi. Kosova i është mirënjohëse ndaj SHBA-së në përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qëllim final njohjen reciproke. Mezi pres të punojmë së bashku.”, ka shkruar Kryeministri Kurti./21Media

Back to top button