Kurti informon Mesiqin dhe Topin për rezultatet e shënuara në ekonomi

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim ish-Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq dhe ish-Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi.
Kurti i falënderoi dy ish-presidentët për vizitën dhe për angazhimin e përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.
Duke folur për qeverisjen rreth njëvjeçare, Kryeministri Kurti tha se “prijmë në rajon për menaxhimin e mirë të pandemisë, me vaksinimin e tashmë dy të tretës së popullatës së rritur”.
Ai i njoftoi edhe për rezultatet e shënuara në ekonomi. “Rritjen ekonomike prej 9.9 për qind, rritjen e të hyrave doganore për mbi një të tretën, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksportet janë rritur me 66 për qind, të hyrat buxhetore janë rritur për 30 për qind, e investimet e huaja për 53 për qind”, tha Kryeministri Kurti.
Dy ish-presidentët e përgëzuan Kryeministrin Kurti për detyrën dhe sukseset në qeverisjen e deritanishme. Ata shprehën besimin që ai do ta vazhdojë ta kryej me përgjegjësi e kompetencë detyrën që ia kanë dhënë qytetarët.
Në komunikatën nga zyra e kryeministrit thuhet se ish-presidenti Topi theksoi nevojën për më shumë bashkëpunim rajonal dhe koordinim më të mirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sidomos me institucionet e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu çështjen e liberalizimit të vizave.
Tutje në komunikatë bëhet e ditur se ish-presidenti kroat, Mesiq, tha se duhet angazhim i shtuar në rrafshin ndërkombëtar, sepse siç tha ai, Serbia po vazhdon fushatat lobuese për çnjohjen e Kosovës.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Kryeministri Kurti tha se është proces që duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve./21Media

Back to top button