Kurti: Kosova e ka vendin në KiE, ka plotësuar kërkesat ligjore dhe standardet demokratike

(Lajm i përditësuar)


Në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti tha se shteti ka plotësuar kërkesat ligjore dhe standardet demokratike për tu bërë anëtar në Këshillin e Evropës.

Gjatë këtij takimi, shefi i ekzekutivit theksoi se shteti i Kosovës i cili është i ndërtuar mbi vlerat e KiE-së e ka vendin në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Republika e Kosovës e ndërtuar mbi vlerat e Këshillit të Evropës dhe me Kushtetutë e cila përfshinë instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe të drejtave të komuniteteve pakicë natyrshëm e vendin në këtë organizatë. Anëtarësimi në KiE mundëson qasjen në Gjykatën Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmat tjerë të KiE. Kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tonë pa dallim etnie”, tha ai.

Sipas Kurtit, se qeverisja e mirë dhe progresi demokratik i kanë hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Sipas tij tani kur procesi i anëtarësimit ka kaluar në Asamblenë Parlamentare fillon etapa substanciale që shoqërohet me vizita fakte-mbledhëse për çka kërkoi koordinim të mirë të grupit punues.

“Qeverisja e mirë dhe progresi demokratik vlerësuar nga raporte ndërkombëtare sidomos në sundimin e ligjit i ka hap rrugë procesit të anëtarësimit tonë në këtë organizatë. Pra, Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike për tu bërë anëtare e KiE. Pas një pune intensive me 24 prill të këtij viti 2023 Komiteti i Këshillit të Ministrave të KiE vendosi në favor të aplikimit të Kosovës duke përmbyllur kështu me sukses fazën e parë në proces të anëtarësimit …Qeveria e Kosovës do të bashkëpunoj ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përgjatë tërë procesit të vlerësimit dhe kam besim që ky grup punues ndër institucional do të punoj me përkushtim në funksion të mbarëvajtjes së vizitave fakt-mbledhëse si dhe në adresimin e të gjeturave dhe rekomandimeve nga rekomanduesit”, theksoi Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi se tashmë që Kosova ka kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ecuria e këtij procesi tutje varet nga bashkërendimi i këtij grupi koordinues.

Gërvalla kërkoi nga të gjitha institucionet të angazhohen në mënyrë që anëtarësimi të ndodh sa më shpejt.

“Tani që ka kaluar faza e parë gjithçka do të varet nga bashkërendimi i mirë i këtij grupi prandaj uroj që institucionet që i përfaqësoni të luftoni në emër të Kosovës që proceset të cilat varen nga institucionet tuaja të ecin sa më shpejt, sepse nga bashkërendimi juaj do të varet edhe ritmi me të cilin ne do të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës sa më shpejt. Si vendi më demokratik në rajon si një vend që është shembull në përfaqësimin e vlerave të cilat janë baza mbi të cilën është krijuar KiE mendojmë se Kosova dje do të duhej të anëtarësuar në Këshillin e Evropës madje shumë vite më parë. Prandaj, çdo ditë që e humbasim për shkak të një bashkërendimi jo të mirë është një ditë e humbur që nuk do të duhet të ndodhte”, theksoi ajo.

Kosova më 12 maj të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ndërsa, në prill të këtij viti Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.


Grupi Ndërinstitucional për KiE mblidhet sot

Grupi Ndërinstitucional për Këshillin e Evropës do të mblidhet sot.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje do të marrë pjesë kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

Mbledhja do të fillojë në ora 9:30.

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button