Kurti kujton krimet makabre: Janë dëgjuar 116 dëshmitarë, asnjë i dënuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot krimet makabre të kryera gjatë luftës së fundit në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan.
Krahas kujtimit, Kurti e ka përmendur edhe faktin që për raste të tilla mungojnë gjykimet vendimet e aktakuzat.
Mirëpo, për rastin konkret ishte ngritur aktakuzë në vitin 2010, mëgjithatë ende asnjë i denuar, bile disa të akuzuar kanë vdekur.
”Aktakuza ishte ngritur në vitin 2010, ndërsa në shkurt të vitit 2014 me Aktgjykim të shkallës së parë tre persona u dënuan me nga 20 vjet burgim, një me 15 vjet, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me 5 vjet, dy me nga 2 vjet burgim, ndërsa ndaj dy personave u tërhoqën akuzat. Por, në shkurt të vitit 2015 Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe ktheu lëndën në rigjykim. Prej 2015-ës disa të akuzuar kanë vdekur, e disa janë larguar nga aktakuza për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore. Megjithatë qysh prej vitit 2015, gjykimi është akoma duke vazhduar. Prej vitit 2015, s’ka asnjë rezultat konkret”, ka thënë Kurti.
Sipas këtij të fundit edhe pse janë dëgjuar 116 dëshmitarë, akoma në vitin 2022 nuk ka asnjë të dënuar me Aktgjykim përfundimtar.
”Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.Viktimat meritojnë të pushojnë në paqe, e familjet të jenë të qetë duke e ditur që kriminelët kanë marrë dënimin e merituar”, ka shkruar Kurti tutje.
23 vjet më parë, në këto krime të tmerrshme  44 persona janë vrarë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan./21Media
 

Back to top button