Kurti: Kushtëzimi me Manastir të Deçanit nuk është punë e mençur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë ndonjë shkresë zyrtare nga QUINT-i që Kosova ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë zyrtare asnjëherë për një kushtëzim të tillë, dhe konsideroj që kushtëzimi nuk është punë e mençur. Le të trajtohet një herë aplikacioni ynë para çfarëdo kushte në të ardhmen. Ne i përmbahemi drejtësisë, por në politikë ka nevojë edhe për dialog”, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.
Shefat e misioneve të shteteve të QUINT-it në Kosovë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në maj i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 i njeh Manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë./21Media

Back to top button