Kurti: Marrëveshja me LDK-në e mundshme dhe e nevojshme

Kurti beson se do të ketë takime

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili synon të udhëheqë me qeverinë e re të Kosovës, ka thënë sot se marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në është e mundshme dhe e nevojshme.

Me siguri që do të ketë takime, të mos kemi takime është e pamundshme, marrëveshja është e mundshme, marrëveshja është e nevojshme, sepse qytetarëve u nevojitet ajo, mirëpo këto nuk janë lajme. Kur t’i kemi rezultatet konkrete, kur ta kemi marrëveshjen me elementet e saj përbërëse që i bashkëngjitet harmonizimit programor do të mund të kemi se çka të themi”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së do që me VV-në të merren vesh për të gjitha pozitat, dhe se koalicioni mes tyre të shkojë më tepër se një mandat.

Kryetari Isa Mustafa deklaroi se LDK mbetet e përkushtuar për arritjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje më të cilën parti synohet një partneritet partiak dhe jo në mes të rivalëve politikë.

Kujtojmë se shefat e misioneve të BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo britanike, si dhe deputetët gjerman që qëndruan dje në Prishtinë, kërkuan njëzëri formimin sa më të shpejt të Qeverisë së re, duke thënë se qytetarët mezi po presin që të krijohet qeveria e re dhe të sillen ndryshimet e premtuara./21Media

Back to top button