Kurti: Marrëveshja Serbi-Rusi duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për marrëveshjen Serbi- Rusi. Ai ka thënë se kjo marrëveshje duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore- demokratike.
“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës. Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviqit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, ka deklaruar ai.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës. Blerim Vela, shef i Kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia po punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë.
Ndryshe, në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme./21Media

Back to top button