Kurti mbrëmë u takua me deputetin gjerman
Bislimi tregon çfarë u diskutua në takim
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se së bashku me kryetarin Albin Kurti mbrëmë janë takuar me deputetin gjerman Peter Bayer dhe anëtarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, Christian Shmidt.
Bislimi tregoi se në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Tutje ai bëri të ditur se gjatë takimit, deputetët u interesuan për mbarëvajtjen e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, elementet kryesore të dakorduara në programin qeverisës, si dhe për arsyet dhe pasojat eventuale nga ngecjet momentale në këtë proces.
“U potencua nga të dy palët rëndësia që ka finalizimi i suksesshëm i negociatave, në mënyrë që vullneti i shumëpërmendur i qytetarëve për ndryshim rrënjësor, në asnjë rrethanë të mos vihet në pikëpyetje”, shkroi Bislimi.
Kujtojmë se Bayer dhe Shmidt sot u takuan edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa./21Media