Kurti: Me hapa të sigurtë po ecim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas mbledhjes së mbrëmshme elektronike, në të cilën janë miratuar dy vendime.
Ai bëri të ditur se pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive Kosovë-Shqipëri, me hapa të sigurtë po ecim drejt realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.
“Mbrëmë në mbledhjen e 87-të të Qeverisë, miratuam vendime për dy marrëveshje, dy projekte madhore zhvillimore. Për njërën do të kërkohet ratifikimi në Kuvendin e Republikës, për tjetrën autorizimi i Presidentes për nënshkrimin e të njëjtës. Pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive Kosovë-Shqipëri, me hapa të sigurtë po ecim drejt realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë. Me ratifikim në Kuvend, do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, ashtu që hekurudha të realizohet. Ndërkaq, pas negociatave të suksesshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), do të kërkohet autorizimi nga Presidentja, për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan 19 marrëveshje në sektorë të ndryshëm, në kuadër të mbledhjes së përbashkët që u mbajt në Prishtinë muajin e kaluar./21Media

Back to top button