Kurti: Me Shqipërinë duam bashkim ekonomik

Kurti: Problemtikat e bizneseve do të adresohen në mbledhjen e dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ka qëndrim të qartë për liberalizim të tregut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Këto komente Kurti i bëri në punëtorinë për rritjen e bashkëpunimit rajonal që u mbajt sot në kryeqytet.

Shefi i ekzekutivit tha se dëshiron që procesin e liberalizimit të tregut ta nisë me Shqipërinë dhe më pas edhe të zgjerohemi me vende të tjera.

Kurti theksoi se një çështje e tillë do të adresohet në mbledhjen e përbashkët ty dy qeverive shqiptare që është planifikuar të mbahet në Shkodër dhe të hiqen edhe barrierat për bizneset e të dyja vendeve.

Kryeministri tha se interesi është, por duhet të ekzistojë edhe vullneti i qeverisë në Tiranë për këto problematika që shqetësojnë bizneset dhe iu vështirojnë operimin në vende përkatëse.

Kurti pati një bashkëbisedim me bizneset pjesëmarrëse në këtë punëtori duke iu përgjigjur disa prej shqetësimeve të tyre.

Duke u ndalur te problematika e energjisë elektrike, Kurti tha se ka qenë kundër privatizimit të distribuimit dhe furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës e qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar.

Ai tha se shteti e ka institucionin që duhet të mbikëqyrë KEDS-in, kompaninë që e ka ekskluzivitetin e furnizimit me energji elektrike dhe të shpërndarjes së saj në territorin e Kosovës.

“Është e vërtetë që KEDS-i ka monopol, kjo nuk është mirë, një monopol publik e kemi shndërruar në monopol privat këtu e 7 vite më parë kur ka ndodhur privatizimi dhe besoj që ka qenë gabim. E kam thënë atëherë e them dhe sot e kësaj dite. Nuk duhet të jenë ndërmarrësit ata që paguajnë defektet ndryshme në furnizimin me energji elektrike. Por për këtë gjë ne kemi një institucion të pavarur shtetëror, ZRRE, e cila duhet ta mbikëqyrë edhe KEDS-in, e kemi institucionin shtetëror që duhet a bëjë këtë gjë”, deklaroi kryeministri.

Back to top button