Kurti: Në këta muaj të qeverisjes kemi stabilitet institucional

Kryeministri Albin Kurti, ka pritur sot në takim Francisco Esteban Perez, komandant i Operacioneve Civile të Bashkimit Evropian, njëherësh drejtor i Planifikimit dhe Sjelljes Civile në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së, (EEAS).
Në takim ishin edhe Kauko Aaltomaa, shef i misionit EUPOL COPPS, njëherësh shef i Divizionit të Operacioneve, si edhe shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.
Me zyrtarët e lartë të BE-së është biseduar për rëndësinë që ka bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë me ato të drejtësisë. Ata kanë shprehur përkushtimin dhe gatishmërinë e Bashkimit Evropian për vazhdimin e përkrahjes për institucionet dhe forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Kryeministri ka thënë se në këta muaj të qeverisjes kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve që përbën progres të madh shoqëror.
Ai e ka njoftuar Perez-in me reformat e nisura në sistemin e drejtësisë dhe përkushtimin institucional për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Ky takim vjen në kohën e miratimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, projekt-kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Agjencinë Kundër Korrupsion, që janë veçuar nga kryeministri si veprime që do të forcojnë e avancojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Kurti ka theksuar se përgjatë tetë muajve të qeverisjes, nga Policia e Kosovës janë realizuar rreth 500 operacione, rreth 900 bastisje dhe janë shkatërruar 41 grupe kriminale. Dhe njëkohësisht ka përmendur miratimin e koncept dokumentit për vettingun drejt një prokurorie aktive dhe energjike, si dhe gjyqësori efikas e efiçient./21Media

Back to top button