Vdiqën 7 persona, shkak konsumimi i mishit të breshkave

Shtatë persona, përfshirë një trevjeçar, kanë vdekur në ishullin Pemba të Tanzanisë pasi hëngrën mish helmues të breshkës.
Raportohet se tre të tjerë janë ende në spital.
Mishi i breshakve është i zakonshëm në mesin e atyre që jetojnë në ishujt dhe zonat bregdetare të Tanzanisë, por autoritetet tani kanë ndaluar konsumimin e breshkave në zonë.
Në raste të rralla, mishi i breshkave mund të jetë toksik për shkak të një lloj helmimi ushqimor të njohur si kelonitoksizëm, transmeton rtv21.tv.
Shkaku i saktë i vdekjeve ende nuk dihet, por mendohet se lidhet me algat helmuese që hanë breshkat.
Të paktën pesë familje në Pemba, e cila është pjesë e ishujve gjysmë-autonome të Zanzibarit, hëngrën mishin e breshkës të enjten e kaluar, tha komandanti i policisë lokale Juma Said Hamis për BBC.
Efektet u ndjenë fillimisht të nesërmen dhe tre vjeçari ishte i pari që vdiq. Dy të tjerë vdiqën atë natë dhe më pas katër të tjerë të dielën.
38 persona të tjerë u shtruan në spital, por shumica u liruan dhe tre që mbeten thuhet se janë në gjendje stabile.
Në një mesazh në Twitter, Presidenti i Zanzibarit Hussein Mwinyi u dërgoi ngushëllimet e tij familjeve të prekura.
Helmimi mund të ketë ndikimin më të keq te fëmijët dhe njerëzit e moshuar.
Në mars në Madagaskar, 19 persona, përfshirë nëntë fëmijë, vdiqën pasi hëngrën mish breshkash, raportoi në atë kohë agjencia e lajmeve AFP.
Raste janë raportuar gjithashtu në Indonezi, Mikronezi dhe ishujt e Oqeanit Indian./21Media

Back to top button