Kurti në Paris: Liderët e korruptuar janë rrezik për sigurinë kombëtare

(Lajm i përditësuar)


Kurti në Paris: Liderët e korruptuar janë rrezik për sigurinë kombëtare

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë detaje nga diskutimi i tij në Forumin e Paqes në Paris.

Ai në një postim në rrjetin social X ka shkruar, se liderët e korruptuar janë rrezik për sigurinë kombëtare.

“Sa herë që keni një udhëheqës të korruptuar… ju keni një vulnerabilitet të caktuar në sigurinë kombëtare. Kështu që ne duhet të shohim rrezikun e korrupsionit edhe në aspektin e sigurisë kombëtare jo vetëm në aspektin e shkeljes ligjore dhe dëmtimit të ekonomisë,” ka shkruar ai.


Kurti takohet me O’Brien: Ma konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti  në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris  është takuar me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.

Kurti përmes një postimi në platformën X tha  se ai ka konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën dhe për synimet për anëtarësim në BE dhe NATO,  përcjell portali rtv21.tv

“Kënaqësi të takoja me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së [për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike] O’Brien, i cili konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën. Diskutuam progresin e shpejtë ekonomik dhe demokratik të Kosovës – i njohur gjerësisht nga organet ndërkombëtare – dhe unë përsërita përkushtimin tonë për anëtarësimin në BE dhe NATO si objektivat tona kryesore strategjike”, ka shkruar Kurti në X.


Kurti nga Parisi: Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide

Kosova përballet me kërcënime për sigurinë nga jashtë, veçanërisht Serbia,  kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris.

Kurti ka përmendur sulmin në Banjskë duke theksuar se ka qenë pretekst që ushtria serbe të hyjë në Kosovë.

Ai ka shtuar se Kosova ka vetëm një alternativë, që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Për sigurinë e vendit tonë duhet të merremi me këto grupe që duan të jenë si Wagneri që duan të shkaktojnë destabilizim, dhe duhet të fokusohemi në situatën gjeopolitike ku nuk kemi alternativë sepse nuk duam të kemi alternativë përpos BE-së dhe NATO-s, por pastaj ka vende që mendojnë dhe bëjnë tjetër çka”, ka thënë ai.

I pyetur nëse BE-ja mund ta ndihmojë Kosovën, Kurti ka deklaruar se u beson dy zotimeve që kanë ardhur nga atje.

“Kemi dy premtime, një prej Von der Leyen për planin e zgjerimit, por kemi edhe një premtim nga Charles Michell se 2030 është viti kur BE-ja dhe Ballkani Perëndimor bëhen bashkë. Kemi kohë dhe kemi substancë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë që të hyjmë në rrugën që është e pakthyeshme. Jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin pasion dhe dëshirë për anëtarësim në BE”.

Kurti është pyetur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve. Ka theksuar se ideja nuk ka vdekur por nuk ka asnjë mundësi që të vihet në jetë.

“Ashtu si Moska është e palumtur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, edhe Beogradi nuk është i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë që vetë e shkaktoi. Jetojmë në kohë kur ky projekti i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur dhe e shoh këtë Shpesh kur dëgjoj presidentin serb të flasë publikisht. Njerëzit që kanë ëndërruar për shkëmbime kufijsh është e vështirë për ta hequr dorë nga nostalgjia dhe të marrin pjesë në zgjidhje demokratike dhe evropiane… pavarësisht dështimit të projektit, ideja është aty, por pa asnjë mundësi që të vihet në jetë. Sa më shpejt të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de jure dhe de facto do jetë më mirë për të gjithë”, ka përfunduar Kurti.

Kurti ka thënë se për shkak se Kosova nuk ka liberalizim të vizave, vendi nuk e ka marrë as statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kryeministri ka deklaruar se asnjë prej shteteve fqinje të Serbisë nuk do të jetë i sigurt nga ajo deri në anëtarësimin në BE.

“Në njërën anë ata duan të shohin ndarje të Kosovës, do të donin kompensime territoriale për gabimet e tyre, por nuk është e mundshme. Në anën tjetër, kemi dëshmuar përpjekje destabilizuese në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë, fqinj të Serbisë. nganjëherë edhe në Maqedoninë e Veriut. Fqinjët e Serbisë për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu”.

Back to top button