Kurti në Universitetin Brown: Ajo që më udhëzon është ideali i një shërbyesi të mirë

Kryeministri, Albin Kurti mbajti ligjëratë mbi demokracinë dhe krizat në Universitetin Brown në Boston të Massachusetssit.
Duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend të lëvizjeve të mëdha progresive për liritë dhe të drejtat e njeriut, që shpesh burimin e kanë pasur nga studentët dhe universitetet amerikane, Kurti ka thënë se edhe rrugëtimi i tij politik ka nisur para njëzet e pesë viteve, si student universiteti nga një padrejtësi që i bëhej popullit të tij në të drejtën për shkollim të dinjitetshëm.
Ai ka rikujtuar angazhimin në Unionin Studentor të Universitetit të Prishtinës, fillimin e bashkëpunimit me Adem Demaçin, si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, arrestimin e tij nga regjimi i Millosheviqit dhe angazhimin politik pas daljes nga burgu, sërish si nevojë e një padrejtësie.
”Nëse ndjenja e padrejtësisë ishte ajo që fillimisht më shtyu drejt aktivizmit politik, ajo që më udhëzon sot si Kryeministër i Republikës së Kosovës është ideali i një shërbyesi të mirë”, ka thënë  Kurti.
Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar Qeveria është dashur të përballet menjëherë me shumë sfida të vështira, ku përfshihen pasojat e pandemisë COVID-19.
Lidhur me krizat e demokracisë në rajon, kryeministri ka thënë se “sa më demokratike të bëhen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, aq më të mëdha janë shanset për paqe afatgjatë dhe bashkëpunim ndërmjet kombeve në pjesën tonë të botës”.
Pas përfundimit të fjalës, ka pasuar një interaktivitet pyetjesh e përgjigjesh me studentët dhe publikun e pranishëm në auditoriumin e Universitetit Brown./21Media

Back to top button