Kurti: Një marrëveshje me Serbinë mund të arrihet brenda pak muajsh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se barrikadat në veri duhet të hiqen.
Barrikadat në veri nuk janë shprehje fuqie, por pafuqie. Ato barrikada duhet të hiqen. Ne i kemi dhënë disa kohë KFOR-it që t’i heqë. Ministri i Brendshëm është në kontakt të vazhdueshëm edhe me KFOR-in dhe me EULEX-in që të hiqen këto barrikada që nuk janë civile, por janë të grupeve kriminale të armatosura, krerët e të cilëve kanë fletë-arreste nga Republika e Kosovës dhe ndodhen në listën e zezë të Thesarit amerikan. Sa më parë që të hiqen, do të jetë më mirë për Kosovën, por edhe për qytetarët serbë”, tha Kurti për A2 CNN.
“Serbët nuk mund të lejojnë që të përdoren si instrument nga Beogradi për aspirata hegjemonike dhe nga ana tjetër, te qeveria e Kosovës, ata kanë garancinë e të drejtave të tyre dhe veshin që dëgjon të gjitha kërkesat që ata mund të kenë. Unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, unë jam i të gjithë qytetarëve të republikës, pa dallim etnie, moshe, gjinie dhe feje. Por, nuk mund ta kompensojmë Beogradin për humbjet që ia ka shkaktuar Millosheviçi me politikën e tij gjenocidale. Nganjëherë dëshirojnë të kthehen para shpalljes së pavarësisë në vitin 2007, nganjëherë dëshirojnë të kthehen para çlirimit të Kosovës në vitin 1998 apo 1999. Asnjë prej këtyre nuk është e mundur. Sa më parë që të ndërgjegjësohen për këtë gjë, aq më mirë do të jetë për vetë ata mbi të gjitha. Kjo histeria në Beograd duhet të marrë fund dhe të kemi kështu një normalizim politik e shoqëror ndërmjet dy shteteve”, shtoi Kurti.
Sipas tij, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda pak muajsh.
“Me mirëbesim në njërën anë dhe qëllim të mirë nga ana tjetër, pak muaj nevojiten për një marrëveshje. Besoj se nuk duhen vite, por pak muaj. Duhet një përfshirje sa më e madhe e Brukselit dhe Uashingtonit, në veçanti karshi Beogradit, që fatkeqësisht nuk po distancohet as nga Millosheviçi dhe as nga Putini”, deklaroi Kurti.
Aplikimi për në BE, Kurti: Rrugë e gjatë, do binden edhe vendet që s’na njohin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu bindjen se 5 shtetet evropiane që nuk e njohin ende Kosovën “do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës tani që e dinë se ne nuk e duam pavarësinë vetëm si pavarësi nga Serbia ose si pavarësi për veten, por edhe si pavarësi për integrim në Bashkimin Evropian”.
“Është një ditë historike për popullin e Kosovës, që e ka pritur shumë gjatë. Edhe qeveria jonë e ka pritur këtë ditë dhe së shpejti mbush një vit e 9 muaj që është në detyrë dhe 15 dhjetori do të shënohet si dita kur Kosova nis zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një proces i gjatë që nis me këtë aplikim. Pra, ne shprehim vullnetin tonë për anëtarësim, ndërsa nga BE-ja presim që të na dërgojë pyetjet, të cilave do t’i përgjigjemi. Tani, hapi i parë është Këshilli Evropian që i kërkon opinion Komisionit Evropian. Më pas, Komisioni Evropian përgatit pyetësorin ligjor me mijëra pyetje. Ka shumë rrugë përpara, por ky hap është tejet i vlefshëm sepse është hapi i parë inaugurues i një procesi të gjatë, që vendeve të ndryshme u ka zgjatur 3-14 vjet. Mesatarja është 9 vjet. Besojmë që është e arsyeshme që edhe ne ta synojmë këtë mesatare”, tha Kurti në një intervistë për A2 CNN.
“Zotimi i Kosovës për të përqafuar në mënyrë të pakushtëzuar vlerat evropiane është inkurajuar edhe për 5 shtetet mosnjohëse. Unë besoj që Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës tani që e dinë se ne nuk e duam pavarësinë vetëm si pavarësi nga Serbia ose si pavarësi për veten, por edhe si pavarësi për integrim në Bashkimin Evropian”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Back to top button