Kurti: Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për inicimin e një kampanje të qytetarëve në vend për ndryshimin e udhëzimit administrativ i krijuar para 12 vitesh për ndalimin e mbulesës në shkolla.
Kurti ka thënë se Ministria e Arsimit është duke e përcjell shqetësimin e disa qytetarëve për fushatën e nisur për ndryshimin e projektligjit administrativ.
Ai tutje ka thënë se projektligjin për Liritë Fetare do ta sjellin në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim.
Në konferencë për media Kurti ka thënë se në Kosovë nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve.
Megjithatë, Kurti ka thënë se pragu i lejimit të shamisë duhet të jetë mosha 16-vjeçare.
“Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve por duhet të jemi të lirë, mirëpo gjithashtu kam thënë që mosha 16- vjeçare duhet të jetë pragu, dhe moshën 16-vjeçare e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur dhe që do të duhej të ndodhin”, është shprehur ai.
Ai e ka krahasuar këtë me marrjen e kartës së identitetit në moshën 16-vjeçare.
“Meqë mund ta marrësh kartën e identitetit në moshën 16-vjecare, nëse sistemi e mundëson që të lidhësh kurorë në moshën 16-vjecare, meqë mosha mesatare është 35 vjeç e 2/3 është nën 35 vjeç, besojmë që në të ardhmen nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjeç. Ne e shohim moshën 16-vjeçare si moshë të pragut për shumë gjëra e po ashtu edhe për bartjen e shamisë”, ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu ka thënë se ky nuk është qëndrim i ri. “E kemi thënë edhe shumë vite më parë”.
Ndryshe, dje edhe Ministria e Arsimit përmes një komunikate për media  theksoi se krahas përgjegjësive, do t’i përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohen që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore./21Media

Back to top button