Kurti: Nuk janë të sigurta nismat që brenda nuk e kanë BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i gatshëm për bashkëpunime dypalëshe mes vendeve të rajonit, por kur bëhet fjalë për nisma të përbashkëta, siç është “Ballkani i hapur”, nuk e sheh si ide të mirë, aq më tepër kur, siç shprehet, brenda kësaj iniciative nuk është Bashkimi Evropian. Në kuadër të Samitit të sotëm të “The Economist” u takua me Kryeministrin Zoran Zaev, por tha se homologu nga Shkupi nuk ia ka hapur temën e “Open Ballkan”.

 “Nuk e kemi konsideruar këtë temë, ne besojmë në Procesin e Berlinit dhe në tregun e përbashkët rajonal që është pjesë e Procesit të Berlinit. Mendojmë që iniciativa të cilat nuk e kanë Bashkimin Evropian brenda, nuk mund të jenë të sigurta, të qëndrueshme dhe të dobishme, prandaj më shumë e theksojmë nevojën e bashkëpunimit bilateral përbrenda Procesit të Berlinit. Në anën tjetër edhe si orientim politik, por edhe si ndjeshmëri kulturore, unë nuk u përkas atyre politikanëve të cilët besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për dallim nga Kurti, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç është më hapur kur bëhet fjalë për “Open Ballkan”, por tregon se pse Mali i Zi ka rezerva, që i ka trashëguar që nga qeverisja e kaluar.
“Mali i Zi si shteti më i vogël në rajon normalisht se ndoshta ekziston një frikë pak më e madhe në dallim nga shtetet që janë më të mëdha se Mali i Zi, kjo është normale, por besoj se nëse iniciativa shpjegohet në mënyrë të mirë, nëse shihet se cilat janë benefitet konkrete të iniciativës, Mali i Zi nuk do të kishte asgjë për të marrë pjesë në iniciativë dhe për të dhënë kontributin e vet, por disa dilema që kanë eksituar prej më herët duhet të sqarohen në nivelin më të lartë politik”, potencoi zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
“Mini Shengeni Ballkanit”, që më pas mori emrin “Open Ballkan” është nismë për të krijuar lehtësira mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor sidomos për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, por aktualisht pjesë e nismës janë vetëm Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia./TV21
Back to top button