Prindërit nuk përkrahin skriningun e nxënësve! “Nuk ka nevojë fëmijët e shëndoshë të testohen”

Prindërit e fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme, nuk po e përkrahin skriningun e paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë. Gati 70 % e prindërve janë kundër që fëmija i tyre të testohet për Covid-19, thonë rezultatet e një sondazhi të realizuar nga portalet “Fakulteti.mk” dhe “Deca.mk”. Përveç kësaj, të anketuarit janë shprehur edhe kundër mbajtjes së maskave në klasa nga ana e nxënësve, duke shtuar se mund të ndikojë negativisht te të vegjlit.
“Janë anketuar 1,808 prindër, prej tyre 66.5% (ose 1,203) kanë dhanë një përgjigje negative. Pjesa e mbetur apo 33.5% (ose 605), nga ana tjetër janë pajtuar me testimin”
Prindërit nga iniciativa “Mësim duhet të ketë” kanë mendime të ndara. Përfaqësuesja e tyre Dragana Spasevska, njëherit edhe nënë e tre fëmijëve, ka vlerësuar se skriningu nuk duhet të realizohet, duke shtuar se fëmijët e shëndoshë nuk ka nevojë të testohen, pasi siç ka thënë, vetë ministrja e Arsimit, Milla Carovska kur nxënësit e klasave të parë, dytë dhe tretë ishin në mësim me prezencë fizike, ka thënë se virusi nuk bartet në shkolla.
“Me siguri mund të vërtetoj që nga iniciativa jonë, pjesa më e madhe e prindërve nuk duan të testohen. Me atë që deri tani nëse ndonjë fëmijë kishte simptoma, apo probleme shëndetësore, vetë prindërit e vetëdijshëm e mbanin fëmijën në izolim, qëndronin në shtëpi. Edhe vetë shkollat po thonë se po respektohen protokollet dhe masat të cilat nxënësit, arsimtarët dhe të punësuarit duhet tu përmbahen. Mendoj se, ja unë me laps dhe shkop do të them se nuk ka nevojë që fëmijë i shëndoshë të testohet”, ka thënë Dragana Spasevska.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë apeluar në vazhdimësi që prindërit të japin leje për t’i testuar fëmijët, me qëllim realizimin e suksesshëm të skriningut. Procedura e testimit zgjat një minutë dhe nuk është e dhimbshme, kanë thënë nga ky dikaster për TV21.
“Me pëlqimin paraprak me shkrim të prindërve ose kujdestarëve të nxënësve, testet, të cilat do të fillojnë javën e ardhshme, do të mbulojnë gjithsej 364 shkolla fillore dhe 109 shkolla të mesme në të gjithë vendin. Shumica e testeve do të bëhen në komunat e Tetovës – 546, Kumanovë – 489, Manastir – 378, Prilep – 309 dhe Gostivar – 296. Ndërsa, brenda shkollave të komunave dhe qytetit të Shkupit, testimi do të përfshijë 766 nxënës”, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë.
Mbledhja e pëlqimeve për testimin e nxënësve në shkolla ka nisur sot, ndërsa testimi do të fillojnë javën e ardhshme. Kjo do të mundësojë mësim më të sigurt si dhe mbrojtje më të madhe të shëndetit të nxënësve, kanë bërë të ditur nga MSH, raporton TV21./21Media

Back to top button