Kurti: Nuk ka zgjidhje optimale, sepse kriza është e thellë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur për shtrenjtimin e energjisë elektrike tha se nuk ka zgjidhje optimale, pasi sipas tij kriza është e thellë.
“Nëse nuk do të kishim rritjen e konsumit që ka pasuar nga heqja e blloktarifës deri më sot, do të ishim shumë më pak të ndjeshëm gjatë krizës së jashtme gjatë këtyre muajve. Konsumi minimal është rritur, i vetmi lajm i mirë është rikthimi i Bllokut B2. Importi ka rënë përgjysmë me rikthim të Bllokut B2. Nuk ka zgjidhje optimale, sepse kriza është e thellë”, tha Kurti.
Tutje, Kryeministri tha se kurrë s’ka pasur më shumë qytetarë sesa në 4 vjetët e fundit që nuk e dinë sesa paguajnë për rrymë.
“Pos rritjes së çmimeve, në vitin 2021 në Kosovës është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike, gjë qe ka cenuar edhe sigurinë e furnizimit. Kurrë s’ka pasur më shumë qytetarë sesa në 4 vjetët e fundit që nuk e dinë sesa paguajnë për rrymë”, shtoi Kurti.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, në të cilin thuhet se do të këtë rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatorë energji elektrike në muaj. Këtë propozim nuk e kanë mirëpritur bizneset, duke thënë se energjia po u shkakton humbje të mëdha.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës është në diskutim publik. Sipas saj, ky propozim nuk është final dhe se do të jepen propozime shtesë nga qeveria.
Qeveria të premten ka ndarë 10 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?