Kurti: Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje

(Lajm i përditësuar)

Kurti: Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por bisedime për marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para nisjes së takimeve në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Nga Ohri, pak para takimeve me shefin e diplomacisë se BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Lajçak, Kurti ka thënë se është në Ohër për dialog parimor, të hapur, serioz, që duhet të rezultojë me marrëveshje.

Kurti theksoi se ai është për dialog serioz dhe të hapur që duhet të reflektojë në marrëveshje.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar, përderisa nuk ka tekst të përfunduar nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz, që duhet të rezultojë me marrëveshje, marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Pra nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka thënë Kurti sot në prononcimin për media.

Kurti drejt takimit me Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të flas para nisjes së takimeve për dialogun në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit që e pati me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, shefi i ekzekutivit kosovar, tha shkurt se është vonë për takim me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, duke mos u përgjigjur në pyetjet nëse do të ketë marrëveshje sot me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Sot në Ohër po zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, ku do të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar në parim më 27 shkurt në Bruksel.

Marrëveshja është propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhëneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti dhe Vuçiq, fillimisht do të zhvillojnë takime ndaras me Borrell dhe Lajçak dhe pastaj do të kenë një takim të përbashkët.

Në Ohër po qëndron edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjithçka gati për takimin Kurti-Vuçiq

Gjithçka është gati për takimin e radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Takimi do të zhvillohet me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në agjendë të diskutimeve do të jetë një propozim i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ngjarja pritet të nisë nga ora 10:00 dhe do të zhvillohet në vilën shtetërore “Bilana” në Ohër.

Kurti e Vuçiq takohen sot në Ohër në kuadër të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbajnë sot në Ohër të Maqedoninë e Veriut takimin e radhës në kuadër të dialogut.

Bashkimi Evropian ka informuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, së bashku me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nga ora 10:00 do të takohen ndaras me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimeve ndaras, do të mbahet edhe një takim i përbashkët, i cili do të fokusohet në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për përmbajtjen e Propozimit evropian, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Ndryshe kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se në propozimin e bërë për Planin Evropian më 18 gusht të vitit të kaluar, ka thënë se do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në mes Kosovës e Serbisë, përfshirë Asociacionin.

Kurti ka thënë se një gjë e tillë është dakorduar edhe në takimin e 27 shkurtit, përkatësisht në nenin 10 të marrëveshjes ku thuhet se duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri sot.

“Por, s’jam për që nga 39 marrëveshje, të vendoset njëra në krye sepse ato marrëveshje s’kanë hierarki vlerore e as hierarki logjike. Nuk i përjashtoj asnjërën prej tyre, por konsideroj se nuk është e drejt të imponohet një marrëveshje e vetme si më e rëndësishmja”, është shprehur Kurti.

Back to top button