Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka premtuar se pagën minimale në vend do ta bëjë 250 euro, duke thënë se do përjashtojë nga tatimi në të ardhurat pensionale.

“Ne kemi fituar duke premtuar punësim e drejtësi, tani do të punojmë për t’i sjellur të dyja këto sidomos në tregun e punës. Do të krijojmë kushte që mundësojnë dhe lehtësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional. Do të punojmë me prioritet për punësimin e grave, të rinjve dhe komuniteteve joshumicë. Do të marrim masa që sigurojnë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësisve që mund t’u bëhen punëtorëvë në vendet e tyre të punës. Pagën minimale do ta rrisim fillimisht në 250 euro, do ta përjashtojmë nga tatimi në të ardhurat pensionale, dhe do ta rishikojmë vazhdimisht në mënyrë që ajo të reflektojë ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve.

“Do të sigurohemi që zhvillimi i ekonomisë dhe riindustrilizimi i vendit të shkojnë paralel me përmirësimin e kushteve për organizim sindikal të punëtorëve, sidomos në sektorin privat ku një gjë e tillë është tejet e nevojshme. Do të punojmë bashkë që punëtorëve t’u mundësohet punësimi, e punës së tyre virtyti e dinjiteti”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës./21Media

1 MAJI I KTHESËS PËR PUNË E DINJITET

Ditët e shënuara në kalendar janë kohë kur duhet reflektuar mbi atë që shënojmë….

Posted by Albin Kurti on Saturday, 1 May 2021