Kurti priti në takim Gjon Muharremajn, përfaqësuesin e Zvicrës në “Eurovision”

Pasditen e sotme, kryeministri Albin Kurti priti në takim këngëtarin shqiptar që jeton e vepron në Zvicër, Gjon Muharremaj, i njohur me emrin skenik Gjon’s Tears.
Këngëtari 23- vjeçar, që me zërin e tij unik ka fituar admirimin e miliona adhuruesve anekënd globit e njoftoi kryeministrin për planet që i ka në të ardhmen, ofertat e shumta muzikore dhe koncertet që planifikon t’i realizojë në vendlindjet e prindërve, si edhe nëpër shtete të tjera të Evropës, gjithnjë duke i respektuar masat për parandalimin e përhapjes së variantit të ri të virusit.
“Po provoj të jem një dritë e vogël në këtë situatë të pandemisë”, tha Muharremaj.
Kurti e përgëzoi këngëtarin për emocionet që ju dhuron njerëzve me zërin e tij të kristaltë dhe për përfaqësimin dinjitoz dhe arritjen kulminante në garën e Eurovisionit 2020, ku ai përfaqësoi Zvicrën, me këngën “Tout l’univers”.
“Arritja më e madhe e një artisti është kur arti i tij stepë pa joshje shikuesin apo dëgjuesin. Ti Gjoni e ke arritur këtë në “Eurovision”, i tha kryeministri fituesit të vendit të tretë të garës evropiane të këngës.
“Thjesht unë dua që njerëzit ta ndjejnë muzikën time në të gjitha mënyrat e mundshme”, tha këngëtari shqiptaro—zviceran.
Tutje, Gjoni e falënderoi kryeministrin për vlerësimin dhe tha se është i lumtur që më interpretimin e tij e ka bërë krenar popullin shqiptar kudo që është.
“Për mua merr më shumë kuptim kjo krenari meqenëse unë jam fëmijë i një babai nga rrethina e Suharekës në Kosovë dhe e një nëne nga rrethina e Tiranës, në Shqipëri”, tha Muharremaj.
Gjon Muharremaj, që nga fillimet e tij performon me nofkën Gjon’s Tears (Lotët e Gjonit). Emër ky që i referohet një përjetimi të fëmijërisë, kur si nëntëvjeçar kishte performuar në piano për gjyshin e tij, të cilit i kishin rrjedhur lotët nga emocioni teksa i nipi këndonte./21Media

Back to top button