RrGK kërkon dënimin maksimal të fajtorëve për vrasjen e 18-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së 18-vjeçares dje në Ferizaj.
Përmes një reagimi, RrGK ka kërkuar që rasti të hetohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal.
RrGK ka thënë se do ta përcjellë rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend.
“Dita e diel ishte e kobshme për një vajzë 18-vjeçare, e cila u la pa shenja jete në qendrën emergjente të Ferizajt. Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si ‘’Vrasje e rëndë’’, dhe deri më tani është arrestuar një i dyshuar, kurse i dyshuari i dytë gjendet në arrati. Ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit. Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve. Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurrfarë llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin”, thuhet në reagimin e RrGK.
Në fund, RrGK ka kërkuar që qytetarët të bashkëpunojnë me forcat e rendit për gjetjen e njërit të dyshuar i cili është ende në arrati, ndërsa ka thënë se ky rrjet nuk do të ndalet së avokuari për të drejtat e grave./21Media
 

Back to top button