Kurti: Procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE të ndahet nga ai me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas samtit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup, ka thënë se ai sa herë që i vjen mundësia kërkon që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Pasi ne jemi shtet normal e demokratik që duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me një shtet që nuk është demokratik, dhe sipas organizatave më prestigjioze ndërkombëtare vlerësohet regjim hibrid. Nuk duhet të penalizohemi. Më 15 dhjetor të vitit 2022 kemi dorëzuar aplikimin zyrtar për anëtarësim në BE. Presim nga Komisioni Evropian pyetësorin me mijëra pyetje e do të jemi të durueshëm e vëmendshëm t’u përgjigjemi të gjithave. Por, nuk është fer që një shtet ku vullneti për t’u anëtarësuar në BE është 94 për qind të mbetet peng i çështjes së normalizimit me një shtet ku vullneti i anëtarësimit mbetet 35 për qind e mbetet prapa nesh sa i përket sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë”, ka thënë Kurti gjatë konferencës.

Ai nga Shkupi tha se aktualisht dialogu po zhvillohet vetëm në relacionin mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, për përcaktimin e hapave të mëtutjeshëm.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë… (Dialogu) Tash për tash kjo zhvillohet në relacionit midis kryenegociatorit dhe lehtësuesit evropian, përfaqësueset special zotëri Lajcak. Tash për tash ky është rrafshi në të cilin do të mund të përcaktohen hapat e mëtutjeshëm, ndërsa në nivelin e takimit të liderëve nuk ka diçka të re, për çfarë ftesa na vjen nga Borrell”, tha ai.


Kurti në samitin e BE-së: Liria për mallra s’mund të shfrytëzohet që të bartten municione

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është për reforma që Ballkani Perëndimor të integrohet ekonomikisht

Ai këto komente i bëri gjatë samitit të BE-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut, duke potencuar që kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten.

“Kosova është e gatshme për reforma që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të përafrohen. Kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten. Duhet kohë dhe besim në marrëdhënie. Kjo nuk mund të ndodhë nëse liria për mallra shfrytëzohet që të barten municione. Marrëdhëniet normale janë kyçe për shfrytëzimin e potencialit. Në demokraci liberale ka rëndësi sundimi i së drejtës. Puna jonë është që t’i realizojmë këto reforma kurse BE të gjykojë sipas meritave”, tha Kurti.


Kurti nga samiti i BE-së: Do të dorëzojmë listën e reformave dhe të projekteve, BE fati ynë

Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë janë mbledhur të hënën në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit. Aty, i pranishëm është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Kosova sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërsa ditëve në vijim do të dorëzojë listën e projekteve.

Po ashtu Kurti falënderoi BE-në, SHBA-në dhe Maqedoninë e Veriut për organizimin e këtij takimi, që sipas tij do të mundësojë bashkëpunim rajonal dhe do të përshpejtojë anëtarësimin në BE që spas tij është qëllimi dhe fati ynë.

“Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare. Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq ditëve në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave, aty në qendër e kemi reformën në administratë publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, tha ai.


Sot mbahet samiti i BE-së në Shkup

Sot në Shkup do të mbahet samiti i BE-së, ku të pranishëm do të jenë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu pjesëmarrës janë dhe përfaqësuesit e lartë të administratës amerikane e të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq të dielën, është mbajtur darka e liderëve, ku është folur për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka publikuar disa fotografi pas darkës joformale.

“Sonte në një atmosferë miqësore me liderët e Ballkanit Perëndimor konfirmuam pikëpamjet tona për integrimin e rajonit në BE. Vendi i të gjitha shteteve të rajonit është në BE dhe ne kemi potencialin e nevojshëm të lidershipit për të marrë vendime të guximshme për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ne – si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Evropë – kemi nevojë për unitet dhe stabilitet”, ka shkruar kryeministri Kovaçevski.

Në fotografitë e publikuara nga Kovaçevski shihet se i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, presidenti Stevo Pendarovski, zëvendëskryeministri Artan Grubi, ndihmëssekretarit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, Aleksandar Soros dhe drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman.

Ndryshe, plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro. Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara./21Media

Back to top button