Kurti shpehet nostaligjk gjatë vizitës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka marrë pjesë në seminarin e dytë shkencor në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) të Universitetit të Prishtinës. Këtë seminar kreu i ekzekutivit e ka konsideruar si një mundësi të shkëlqyer për të punuar bashkë në zhvillimin e aftësive digjitale drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.
“Digjitalizimi është komponent kyç në këtë reformë. Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit, krijimin në platforme digjitale, përgatitjen mësimore cilësore për klasë, furnizimin e institucioneve me rrjetet e internetit dhe krijimin e mekanizmave institucional”, ka thënë ai.
“Në Fakultetin e Elektroteknikës, siç është quajtur atëherë, kam ardhur shumë më herët se sa të bëhesha student, kam ardhë si gjimnazistë që të ushtrohem për matematikë, me detyra të vështira nga asistenti i lëndës së matematikës së asaj kohe, Astrit Bardhi që punonte me profesor Hamitin dhe na ushtronte për gara të asaj kohe”, tha Kurti në këtë seminar.
Ai ka deklaruar se për shkak të rrethanave të vitit 1991, ai i ka ndërprerë studimet, por i ka vazhduar 1 vjet pas çlirimit nga burgu e 2 vjet pas çlirimit të Kosovës.
“Jam nostalgjik me siguri e në veçanti jam nostalgjik që e pashë se enterieri nuk kishte ndryshuar shumë. Pra, hapësira brenda objektit është po ajo e dikurshme, që në njërën anë ta bënë më të kollajshme nostalgjinë, por në anën tjetër edhe na thërret për përgjegjësi se në hapësirat e Universitetit tonë duhet të investojmë më shumë”, ka deklaruar më tutje ai.
Prodekani i këtij Fakulteti, Kadri Sylejmani ka deklaruar se ky seminar ka për qëllim të rritë bashkëpunimin por edhe të prezantohen punime shkencore.
Rektori i UP-së, Naser Sahiti ka deklaruar se përmes këtij seminari mund të prezantohet puna që bëhet në UP. Sipas tij, numri i hulumtuesve në Kosovë tashmë është rritur.

Back to top button