Kurti tregon se me opozitën diskutuan për sigurinë në vend

Pas zhvillimeve të fundit në vend e sidomos në veri të vendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot ka takuar liderët e subjekteve opozitare.
Në takim ishin kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, shoqëruar nga Bedri Hamza; kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, shoqëruar nga Lutfi Haziri, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, shoqëruar nga Ardian Gjini.
Pas takimit Kurti nuk u deklarua për media. Por përmes një komunikate për media nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se në takim Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë, dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
“U theksua aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n, dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Kryeministri Kurti i falënderoi liderët e partive opozitare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk mori siguri se Qeveria e Kosovës e di se në çfarë drejtimesh do të shkojë për ta mbajtur nën kontroll situatën në veri.
Ndërsa ai i LDK-së, Lumir Abdixhhiku tha se në takim me kryeministrin Albin Kurti, nuk pa plan për zgjidhjen e çështjes së veriut.
E, kreu u AAK-së, Ramush Haradinaj u largua disa minuta pas fillimit të takimit me Kurtin. Ai tha se kryeministri i mbante ligjerata dhe nuk tregonte dhe siç tha ai nuk sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën./21Media

Back to top button