Kurti uron hendbollistet e Kosovës për fitoren

 

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka fituar edhe ndeshjen e dytë në kuadër të turnut të Grupit A të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2022 në konkurrencën e femrave.

Skuadra dardane ka mposhtur Luksemburgun me rezultat 33:27, duke bërë që fati i Grupit A të vendoset në ndeshjen e së shtunës ndaj Portugalisë.

Kryeministri Albin Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, ka uruar hendbollistet e Kosovës për fitoren.

“Hendbollistet e Kosovës sonte ngadhënjyen mbi përfaqësuesen e Luksemburgut me rezultat 33:27. Ishte ky një dominim i vazhdueshëm me lojë tejet të bukur dhe shumë energjike sonte në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Kjo fitore ju bashkangjit asaj të mbrëmshmes mbi ekipin e Qipros në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2022. Në pushim të ndeshjes, bashkë me zëvendës-ministren Daulina Osmani biseduam me tri hendbolliste tonat. Arlinda Hajdari (lindur në 2001, Danimarkë), Areta Istrefi (lindur në 2002, Gjermani) dhe Mirjeta Bytyqi (lindur në 1997, Slloveni). Lojtarja jonë kyçe Arlinda ishte e lënduar dhe po e ndiqte nga tribinat motrën e saj të shkëlqyeshme Marigonën. Në ekipin e Luksemburgut ishte edhe një hendbolliste me mbiemrin Dautaj me prejardhje nga Deçani, kurse selektori dhe trajneri i parë i Kosovës është bashkatdhetari ynë Agron Shabani, i shkolluar në Luksemburg, ku edhe jeton e vepron.
Kosova është shtet i diasporës, shumë më tepër seç mendohet. Sa shumë që jemi gjithandej. Dhe, sa shumë që e duam vendin tonë, tek i cili rikthehemi përherë. Urime të gjithëve kjo fitore e vajzave tona hendbolliste”, ka shkruar kryeministri./21Media

Back to top button