Kurti uron pavarësinë: Kosova ka punuar për të përmbushur idealin e dëshmorëve dhe ëndrrat e rinisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje festive me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeverisës tha se teksa festojmë kujtojmë me krenari rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Ne sot ndërojme të gjithë ata të cilët sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë, nga heronjët, dëshmorët e martirët, që dhanë jetën e tyre, te invalidët, dhe veteranët e UÇK-së, te veprimtarët dhe mbarë qytetarët, që qendruan të palëkundur përballë sfidave, që të gjithëve u jemi mirnjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyre”, tha Kurti.
Kurti në këtë mbledhje foli edhe për demokracinë e vendit.
“Republika jonë sot është me e forte dhe më vitale se kurrë më parë, jo vetëm se kemi investuar në siguri dhe mbrojtje por sepse kemi forcuar institucione demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre që t’i shërbejnë para së gjithash e mbi të gjithave qytetarëve të Republikës”, tha ai.
Ai ka shtuar se liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë kërkon demokraci e demokracia kërkon institucione të forta.
Kryeminitri theksoi tutje se suksesi ynë është dëshmi që kemi punuar në përputhje me amanetin e idealin e dëshmorëve të kombit dhe në përputhje me të drejtat e popullit, dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve.
“Urime e gëzuar dita e pavarësisë. Rroftë Republika jonë”, tha Kurti./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?