Kurti vizitoi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku së bashku me Mehmet Krajës diskutoi për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ASHAK-ut në fushën e energjisë dhe fusha të tjera.
Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin dhe rolin historik e kulturor, por gjithnjë edhe politik e akademik të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).
“Ne besojmë se progresi socio-ekonomik, jeta e dinjitetshme e qytetarëve në Republikë, varet sa nga demokracia, përfaqësimi e vendimmarrja me integritet e kompetencë, po ashtu edhe nga konsiderata e pazëvendësueshme për shkencën, tha kryeministri Kurti. Në këtë fushë për shkencën, por në të tjerat edhe për artin e kulturën”, ka thënë Kurti.
Gjatë takimit u potencua interesimi i Qeverisë dhe AShAK-ut, për bashkëpunim të ngushtë. Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera.
Kryeministri veçoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.
“Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë vizitë, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe zëvendës ministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj./21Media

Back to top button