Kurti zhvillon bisedë me studentë të Kolegjit Universitar të Amsterdamit

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmje zhvilloi një bisedë me studentë të profileve të ndryshme nga Kolegji Universitar i Amsterdamit. Prof. Anne de Graaf, për vite me radhë organizon vizita studimore në Kosovë ku studentë ndërkombëtarë mësojnë rreth Kosovës dhe për këndvështrime të ndryshme sociale, politike dhe kulturore.
Gjatë bisedës, ata u njoftuan mbi prioritetet e qeverisë dhe punën e saj të deritanishme, politikat progresiste dhe synimet për reforma të domosdoshme në drejtësi, ekonomi, edukim e shëndetësi.
Kurti vuri theksin tek planet e qeverisë për rritjen e punësimit te të rinjtë dhe gratë, dhe lidhshmërinë në mes edukimit profesional dhe tregut të punës. “Studentët shfaqën interesim në lidhje me menaxhimin e pandemisë, vizionin e qeverisë për integrim evropian dhe bashkëpunim rajonal, dhe përvojën e kryeministrit Kurti si aktivist politik”, thuhet në komunikatën nga zyra e Kryeministrit.
Në fund, kryeministri Kurti u uroi studentëve suksese gjatë studimeve dhe i falënderoi për interesimin që ata kanë për Republikën e Kosovës./21Media

Back to top button