​Kurti për darkën në Bruksel: Mundësi e mirë për të diskutuar mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mori pjesë në darkën e organizuar me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Darka e organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, nga i pari i Qeverisë së Kosovës është vlerësuar si një mundësi e mirë për të diskutuar mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se darka me liderët e rajonit, po ashtu ishte një mundësi për të rritur ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe më gjerë.

Ndryshe, kryeministri Kurti mbrëmë pas darkës me liderët e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se ka shtruar integrimin sa më të shpejtë të rajonit në BE.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave të demokratizimit, të luftohen autokracitë në Ballkan, të luftohen oligarkitë dhe të eliminohen nga skena politike dhe institucionet kriminelët e luftës dhe të paqes. Edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”, ka thënë Kurti duke aluduar në liderët e shtetit të Serbisë.

Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për çka shfaqi shpresën se Gjermania si vend mik i Kosovës do të ndihmojë në këtë drejtim. Ndërsa për vaksinimin, kryeministri Kurti edhe një herë ka shprehur bindjen se do të arrihet 60 përqindëshi i vaksinimit të qytetarëve të Kosovës këtë vit.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kurti është takuar edhe me emisarin special të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Back to top button