Kusari Lila: Hoti nuk u izolua pas testimit, edhe një arsye për t’u shkarkuar

 

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila, i ka uruar shërim të shpejtë  nga koronavirusi, kryeministrit Avdullah Hoti por edhe ka adresuar kritika ndaj tij.

Ajo ka thënë se Hoti ka pasur kontakte të shumta gjatë këtyre ditëve dhe në momentin kur nuk është ndjerë mirë është dashur të izolohet.

“Hoti i uroj shërim të shpejt dhe kthim në detyrën e tij nga e cila shpresoj se i shëruar dhe i fortë do të largohet së shpejti! Arsyet për këtë largim po rriten çdo ditë e më shumë. Pasi nuk u ndie mirë dhe pasi pati arsye të testohet, pse nuk u izolua z. Hoti? Pse ai bëri të kundërten e protokollit i cili sygjeron se prej testimit deri tek marrja e rezultatit, personi izolohet?Pse z. Hoti pasi u testua doli në terren dhe takoi dhjetëra njerëz e biznese të cilët sot të gjithë potencialisht janë të rrezikuar e sigurisht disa prej tyre, nuk do t’iu ipet as mundësia për t’u testuar. Asnjëri nga ta nuk ia pat me borxh të marrë virusin nga Kryeministri.  A do të thotë kjo që në javën kur vdekshmëria nga pandemia arriti kulmin më të lartë, Kosova ka një Kryeministër që injoron protokollin, vënë në rrezik bashkëpunëtorët dhe qytetarët e vendit me vizita tē paarsyeshme për kohë pandemie.”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kusari – Lila ka adresuar kritika ndaj kryeministrit dhe qeverisë edhe për menaxhimin e pandemisë, por me mosizolimin e tij para marrjes së rezultateve Kusari Lila ka thënë se  Hoti e ka dhënë edhe një arsye për t’u shkarkuar nga posti i kryeministrit.

“Hoti, nga zemra ju uroj të shëroheni ju dhe të gjithë ata që janë të prekur nga ky virus. Gjithashtu, uroj që sa më pak të keni shpërndarë virusin tek bashkëpunëtorët që ishin me ju në vizita dhe poashtu tek ata që i vizituat. Ju asgjë nuk keni bërë për t’a lehtësuar këtë pandemi në Kosovë që kur jeni në atë zyre, ndërsa, me dje, edhe fizikisht keni rrezikuar biznese dhe jetëra njerzish. Uroj asnjë tjetër mos të ketë virusin, ndërsa ju me sjelljen tuaj pasi të jeni shëndoshë na keni dhënë edhe një arsye për të ju shkarkuar. Ndërsa, do të ishte shumë e duhur, sikur ju dhe qeveria të jepni dorëheqje vetë, të paktën do kishim një bindje se më në fund e kuptuat përgjegjësinë dhe jo përgjegjshmërinë tuaj. Shëndet e qofshin të shkuara këto ditë!”, ka përfunduar deputetja.

Kryeministri i Kosovës, Avudllah Hoti mbrëmë ka njoftuar se është infektuar me Covid-19. Ai ka bërë të ditur se është izoluar për dy javë./21Media

Back to top button