Kusari-Lila: Me SHBA-në mund të pajtohemi që të mos pajtohemi për Asociacionin

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për RTV21 tha se pushteti nuk e pranon Asociacionin me përmbajtje njëetnike.
Ajo tha se me  Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të pajtohen që të mos pajtohen për Asociacionin.
“Ne me SHBA -në jemi partnerë me të cilët mund të pajtohemi të mos pajtohemi në një çështje ose në këtë temë. Natyrisht parteriteti nuk do të thotë që duhet në çdo hap ose në çdo veprim të kesh unitet të mendimeve, ka edhe mendime ndryshe kjo është edhe vlera dhe pasuria e diskutimeve dhe ky është një proces i cili do diskutim të metutjeshëm”, tha Kusari-Lila.

Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.
Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin./21Media

Back to top button