Kusari-Lila: Po bëjmë më të mirën për të mos u dëmtuar interesi i qytetarëve
Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrur sot për shtrenjtimin e energjisë elektrike tha se po mundohen të bëjnë më të mirën në mënyrë që të mos dëmtohet interesit i qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Fatmirshit ka ende mundësi për diskutim të shqyrtimit të modeleve me ndikim më të vogël e me mekanizma mbrojtës të interesave të qytetarëve. Kjo është ajo për çfarë po angazhohemi bashkë me Qeverinë në ditët dhe orët në vijim. Jeni e njëjta opozitë që në prill të vitit të kaluar keni deklaruar se po synohet të hyhet në një treg të liberalizuar fallco. Ne nuk e shtymë askënd për të shkaktuar dëm te qytetarët dhe te bizneset. Interesi i kësaj Qeverie është mbrojtja e konsumatorit dhe qytetarëve të Republikës”, tha Kusari-Lila.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, në të cilin thuhet se do të këtë rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatorë energji elektrike në muaj. Këtë propozim nuk e kanë mirëpritur bizneset, duke thënë se energjia po u shkakton humbje të mëdha.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës është në diskutim publik. Sipas saj, ky propozim nuk është final dhe se do të jepen propozime shtesë nga qeveria.
Qeveria të premten ka ndarë 10 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike./21Media