Tahiri: U dasht me u ndalë rryma për me u dhezë Qeveria jonë

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur për ditën e sotme, lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri tha se Qeveria foli për herë të parë foli për krizën, kur nisi të ketë reduktime të energjisë elektrike në vend.
“Fillimisht u dasht me u ndalë rryma për me u dhezë Qeveria jonë, e kur u dhezë Qeveria jonë, u dhezë ministria, KEK-i, KEDS-i, ZRrE”, tha Tahiri.
Sipas Tahirit, Qeveria dha veç dy alternativa.
“Na i dhanë dy alternativa, e para shtrenjtimi 100% i energjisë elektrike dhe e dyta reduktimi i energjisë sikur në pasluftë, 8-2, 8-4, 8-6”, tha Tahiri.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, në të cilin thuhet se do të këtë rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatorë energji elektrike në muaj. Këtë propozim nuk e kanë mirëpritur bizneset, duke thënë se energjia po u shkakton humbje të mëdha.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës është në diskutim publik. Sipas saj, ky propozim nuk është final dhe se do të jepen propozime shtesë nga qeveria.
Qeveria të premten ka ndarë 10 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike./21Media

Back to top button