Kusari-Lila: Të punojmë që Evropën ta kemi në Kosovë

Në Gjakovë janë organizuar disa aktivitete sot për ta shënuar Ditën e Evropës

Me rastin e shënimit të 9 Majit, Ditës së Evropës, në Komunën e Gjakovës janë organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat kanë spikatur vlerat evropiane të vendit tonë, por edhe domosdoshmërinë e​ integrimeve, zhvillimit dhe proceseve avancuese drejt Bashkimit Evropian.

Pjesë e këtyre aktiviteteve ishte edhe tryeza e organizuar nga Agon Batusha, në kuadër të projektit “European Dream”, me pjesëmarrje të kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila,  Besa Luzha nga shoqëria civile dhe Lirim Zorra profesor në kolegjin ISPE.

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila është shprehur se sot në ditën e Evropës duhet të kuptojmë se sa arsye kemi për të numëruar punët që duhet bërë, në mënyrë që t’ju japim arsyen të rinjve që të rrinë në Kosovë dhe Evropën ta kemi në Kosovë.

“Njëri ndër problemet se si Evropa e trajton Kosovën ka të bëjë me kriteret që i shtohen vendit tonë siç është rasti i fundit me kërkesën për demarkacion, përderisa kriteret që janë shumë specifike, si lufta ndaj korrupsionit, reforma në sistemin e drejtësisë dhe zhvillimi ekonomik, vazhdojnë të mbesin çështje pa përparim shumë të madh”, tha Kusari-Lila.

Sa i takon Komunës së Gjakovës , Kusari-Lila, ka përmendur disa çështje konkrete të cilat janë trajtuar nga qeverisja lokale dhe në të cilat është shënuar progres i konsiderueshëm, si transparenca dhe lufta ndaj korrupsionit.

Për këndvështrimin e shoqërisë civile ka folur Besa Luzha, e cila ka veçuar sfidat dhe kërkesën e qytetarëve për lëvizje të lirë, kurse nga profesori i Kolegjit ISPE, Lirim Zorra u paraqit mendimi shkencor rreth historikut dhe të ardhmes së BE-së.

Aktivitetet për Ditën e Evropës në Gjakovë, kanë vazhduar edhe me shpalosjen e instalacionit “Kosova: Shoqëri e izoluar” dhe me një panair të organizatave të shoqërisë civile.

Back to top button