Kush është Yevgeny Prigozhin? Nga “kuzhinieri i Putinit” te kundërshtari i tij më i madh

Yevgeny Prigozhin ka lindur më 1961 në atë që atëherë është quajtur Leningrad. Si adoleshent ai është zënë dhe dënuar për vjedhje, një prej plot krimeve më serioze që ka kryer më vonë, përfshirë vjedhje të armatosur dhe trafikim të fëmijëve, për çka është dënuar me mbi nëntë vjet burgim.

Pas lirimit nga burgu më 1990, Prigozhin e ka hapur një rrjet dyqanesh të salsiçeve dhe biznesi ka qenë goxha i
suksesshëm. Ende është e paqartë se kur janë krijuar lidhjet e para mes Prigozhinit dhe Putinit, ndonëse si sipërmarrës në Shën Petersburg, ai ka pasur shumë gjasa të jetë takuar me Putinin, i cili e ka nisur karrierën politike si kryetar i atij qyteti më 1990.

Ai më vonë e ka zgjeruar biznesin e ushqimeve dhe ka nënshkruar kontrata të majme, përfshirë nënshkrimin e një kontrate për Kremlinin, pas së cilit veprim ai është njohur me nofkën “Kuzhinieri i Putinit”.

Për grupin Wagner është dëgjuar më pas më 2014, kur Rusia e ka nxitur dhe financuar një konflikt në lindje të Ukrainës. Prigozhin besohet se e ka financuar Wagnerin me vite, mirëpo në shtator të vitit 2022, pak muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, e ka pranuar hapur pronësinë mbi grupin.

Mercenarët e Wagnerit kanë luajtur rol kyç në luftën në Ukrainë, sidomos në betejat në Mariupol dhe më pas në Severodonjeck, Lisiçansk dhe Bahmut.

Pas disa muajsh lufte, Prigozhin ka nisur të rekrutojë edhe të burgosur. Me kalimin e kohës, ai e ka
kritikuar ministrin rus të mbrojtjes Shoigun dhe e ka sfiduar atë dhe Putinin që të urdhërojnë mobilizim të përgjithshëm ushtarak.

Ai është ankuar vazhdimisht që ushtria nuk u ka ofruar pjesëtarëve të Wagnerit municionet e nevojshme. Më 20
maj, pas gati 10 muajve të pushtimit të Bahmutit, forcat e Wagnerit kanë pretenduar fitore në qytet.

Putin e ka pranuar rolin e luftëtarëve në luftë, por nuk ia ka përmendur emrin, as grupit, as Prigozhinit. Nuk ka kaluar shumë dhe Prigozhini ka nisur t’i kritikojë hapur figurat e larta ushtarake në Rusi. Në një interviste me
personalitetin televiziv pro Kremlinit, Konstantin Dolgov, ai nuk është tallur vetëm me Shoigun, por edhe me fëmijët e tij.

Ai ka sugjeruar se lufta në Ukrainë ka dështuar, ka bërë thirrje për shpallje të gjendjes së luftës dhe ka paralajmëruar për rreziqet e një puçi, duke e përmendur kryengritjen bolshevike të vitit 1917 për të
rrëzuar nga pushteti carin rus.

Në një fjalim të mbajtur disa orë pasi luftëtarët e Wagnerit kanë thënë se janë pozicionuar në qytetin rus Rostov-on-Don, vetë Putin e ka përmendur vitin 1917, një sinjal i qartë se rebelimi i Prigozhinit mund të kthehet në sfidën e tij më madhe që e ka përjetuar përgjatë 23 vjetëve në pushtet.

Back to top button