Kushëriri organizoi vjedhjen e valixhes me para

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim dy autorët e vjedhjes së një shume të konsiderueshme parash dhe bizhuterish floriri në Tiranë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në provat ligjore të grumbulluara, bënë shpalljen në kërkim të shtetasve: – L. D., 36 vjeç banues në Tiranë, dhe Q. H., 26 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, 36 vjeçari pasi ka marrë informacion se kushërira e tij, shtetasja K. Gj., do të udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Tiranës, me një valixhe me para, në bashkëpunim me të dashurën e tij Q. H., ka organizuar vjedhjen e valixhes. Shtetasja Q.H. është paraqitur si udhëtare në linjën e furgonit me të cilin do të udhëtonte shtetasja K.Gj. dhe pasi ka udhëtuar disa orë, ka zbritur në Tiranë, duke marrë edhe valixhen, me pretendimin se ishte e saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.400.000 lekë të rinj, 2770 euro, 340 paund dhe disa bizhuteri floriri. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim./21Media

Back to top button