Kuvendi i Malit të Zi votoi për hyrjen e vendit në NATO

Me vendim unanim të 46 deputetëve të pranishëm në sallë, Kuvendi i Malit të Zi miratoi të premten vendimin për hyrjen e vendit në Aleancën Veri-atlantike

Derisa mbahej seanca për votimin e vendimit për anëtarësim në NATO, jashtë objektit të Kuvendit është mbajtur një protestë e Frontit demokratik dhe kundërshtarëve të anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancën  Veri-atlantike.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se vendi i tij pas pranimit në NATO do të mbështesë fuqishëm proceset integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Këta deputetë sot kanë privilegj historik. Dita e sotme hyn në historinë e ndritshme të Malit të Zi”, ka thënë Markoviq.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq shprehu keqardhje që në seancë mungon një pjesë e opozitës, e cila kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu tha se legjitimiteti i marrjes së vendimit për hyrje në NATO është i padiskutueshëm, ndërsa deputeti i DPS-së, Miodrag Radunoviq tha se Mali i Zi meriton vendin në mesin e familjes më të zhvilluar të vendeve të botës.

“Pres që tensionet politike të jenë të një intensiteti më të vogël pas hyrjes në NATO. Me hyrjen në NATO do të neutralizojmë iluzionet e atyre që mendojnë se mund të shkatërrojnë pavarësinë e Malit të Zi”, tha ai.

Protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi e kanë ratifikuar 28 nga 29 shtete anëtare të NATO-s, dhe i njëjti mbetet të ratifikohet vetëm edhe nga Spanja.

Back to top button