Kuvendi miraton disa projektligje të mbetura nga seancat e kaluara

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Gjithashtu deputetët e kanë miratuar buxhetin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike, me shumën prej 23 mijë e 720 euro.
“Konstatoj që me 87 vota për, asnjë votë kundër dhe vetëm një votë abstenuese, Kuvendi i Kosovës e miratoi buxhetin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator si dhe në ndërmarrje publike, me shumën prej 23 mijë e 720 euro”, ka thënë Konjufca.
Me këtë ka përfunduar seanca e parë për sot në Kuvendin e Kosovës, e cila në rend dite kishte pika të papërfunduara nga mbledhjet plenare të kaluara.
Kuvendi do t’i vazhdojë punimet me seancën e re ku në rend dite është edhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve.
Gjithashtu për këtë seancë është paraparë debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

Back to top button