​Kuvendi s’ka kuorum për plotësim-ndryshimet e Kodit Penal

(Lajm i përditësuar)
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë Projektligjin për plotësin dhe ndryshimin e Kodit Penal, në lidhje me veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje, ku parashihet të shtohen dënime plotësuese.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tregoi se cilat dënime plotësuese do t’i shtohen personave të dënuar për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje.
“Përmes këtij projektligji kemi paraparë që për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje, si dënime plotësuese të shtohen: Ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike, apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi nga tre deri në dhjetë vjet. Ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë të tjerë të përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi nga tre në dhjetë vjet. Ndalimi i të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publik nga tre deri në dhjetë vjet personit që shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit apo dhunës në familje. Ndalimin e punësimin në sektorin publik në gjitha nivelet për personin që shpallet fajtor. Ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën e drejtimit të automjetit nga 1 deri 5 vjet”, tha ajo.
Këtë pikë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se do të përfshijnë edhe në seancën e nesërme.
19:27 – Miratohet Projektligji për kodin e procedurës penale
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Pro këtij projektligji votuan 63 deputetë, një pjesë e tyre edhe deputetë të partisë opozitare, PDK-së.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi, derisa prezantoi projektligjin, tha se i njëjti do t’i prek ndryshimet procedurale sa i përket dhunimit, dhunës seksuale dhe dhunës në familje.
“Si nevojë për ndryshimet procedurale të dhunimit, dhunës seksuale dhe dhunës në familje që kanë marrë përmasa shqetësuese. Nevoja dhe domosdoshmëria e këtyre ndryshimeve, jo vetëm atyre materiale. Pra ashpërsimi i sanksioneve penale dhe përcaktimi i disa veprave të reja penale e determinon edhe nevojën për përshpejtim të procedurave për hetim dhe gjykim efikas”, tha ajo.
18:30 – Kuvendi miraton dy projektligje 
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Këto dy projektligje u mbështetën edhe nga deputetët opozitarë.
Kuvendi po vazhdon punimet e seancës plenare, ku po diskutohet Projektligji për plotësim-ndryshimin e kodit penal./21Media

Back to top button