Kuvendi sërish dështon t’i miratojë marrëveshjet ndërkombëtare

(Lajm i përditësuar)

Kuvendi i Kosovës sërish ka dështuar t’i miratojë marrëveshjet ndërkombëtare që ishin në rend të ditës në seancën e sotme plenare. Dy partitë opozitare, PDK dhe AAK nuk morën pjesë fare në votim, ndërkaq votat e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së ishin të pamjaftueshme për t’i kaluar të njëjtat.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shpreh kritik ndaj deputetëve opozitarë, teksa tha se në momentin kur legjislativi nuk ka kapacitet t’i kalojë marrëveshjet ndërkombëtare nuk ia vlen të ekzistojë fare.

“Një Kuvend që nuk e ka kapacitetin e vet objektiv t’i kalojë marrëveshjet ndërkombëtare, nuk ia vlen të ekzistojë legjislatura hiç”, tha ai.

Atij i reagoi shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se grupi i tyre parlamentar nuk do të votojë asgjë në Kuvend, përveç shpërbërjes së legjislativit dhe shkuarjes në zgjedhje të reja.

“Ne nuk votojmë dhe krejt çka kërkojmë dhe angazhohemi që kjo legjislaturë të merr fund sa më shpejtë dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve. Ne ju ftojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që dakordohemi ta shërbejmë këtë legjislaturë jofunksionale jemi dakord që brenda asaj dite t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ai.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, akuzoi qeverinë se për shkak të qasjes së gabuar të tyre ka dështuar të krijojë konsensus në Kuvend.

“Qeveria përmes grupit të vet parlamentar e ka detyrë të krijojë konsensus për çështje të caktuara me interes nacional apo të përgjithshëm përtej interesit të qeverisjes së thjeshtë. Është përgjegjësi e qeverisë që që të garantojë që Kuvendi ka një frymë bashkëpunimi për këto çështje elementare. Shprehja juaj e saktë do të ishte dështim i qeverisë. Qeveria nuk ka mbërri që për asnjë temë të krijojë konsensus në Kuvend në këto tri vjet”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se pa u plotësuar kërkesat e Policisë së Kosovës dhe pa u zgjidhur çështja e veteranëve nuk do të votojë në asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

“Kërkesat e policisë dhe zgjidhja e çështjes së veteranëve të plotësohen ose ne nuk do të votojmë as ligjet ndërkombëtare, por edhe bashkimin kombëtar që e ka propozuar Mimoza Kusari se votoj pa u plotësuar këto kërkesa”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj Kuvendi dështoi të miratojë edhe Projektligjin për tekstet shkollore.

Pas katër tentimeve, miratohet projektligji për shëndetin riprodhues

Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Ky projektligj u miratua pas katër tentimeve të mëhershme.

Në votim morën pjesë pjesë 63 deputetë nga 85 sa ishin në sallë. Për votuan 58, një kundër dhe katër abstenuan.

Projektligji parasheh shërbimi IVF të aplikohet edhe në sektorin publik. Kur u prezantua për herë të para deputetëve ky projektligj ishte në fjalë ishte pikë e nxehtë diskutimi në Kuvend


Kuvendi mblidhet sot

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në seancë plenare.

Në rend dite janë disa marrëveshje ndërkombëtare dhe projektligji për shëndetin riprodhues.

Sipas njoftimit, seanca do të nisë në ora 13:00. Në rend të ditës janë 21 pika.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
2. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
9. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
10. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,
11. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,
14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,
15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,
16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,
18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Back to top button