The Guardian: Përpjekje të aranzhohet një takim Osmani- Vuçiq në Granadë

Gazeta britanike “The Guardian” bazuar në burimet e veta ka shkruar se po punohet që të aranzhohet një takim midis presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiq dhe Osmani do të marrin pjesë në një samit në Granada të 51 liderëve evropianë të enjten dhe burimet thonë se ka përpjekje për t’i bërë bashkë ata në një dhomë pavarësisht armiqësisë politike midis dy vendeve”, shkruan gazeta britanike.

Të martën në një intervistë për Christiane Amanpor në CNN, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se akti i agresionit serb ishte i planifikuar, plan i ngjashëm me atë të Krimesë, për aneksimin e veriut.

Osmani ka deklaruar se mbrapa sulmit ka qëndruar aparati shtetëror me qëllime aneksimi, por policia e profesionale e ka penguar këtë plan.

“Është shumë me rëndësi që të sanksionohet e dënohet Serbia për veprimet e saj nga faktori ndërkombëtar. Çdo dëshmi tregon lidhjen direkte të shtetit serb me atë që ndodhi në veri të vendit. Armët që janë gjetur përdoren nga ushtria dhe shteti serb, e jo nga qytetarët serbë. Vuçiqi do të vazhdojë ta përdorë narrativën e Millosheviqit”, ka thënë Osmani./21Media

Back to top button