Kuvendi themelon komisionin hetimor në lidhje me punësimet në MPJD
(Lajm i përditësuar)
Kuvendi themelon komisionin hetimor në lidhje me punësimet në MPJD
Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor parlamentar lidhur me punësimet në shërbimin e jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Themelimin e këtij komisioni e mirëpriti edhe kryediplomatja Donika Gërvalla, e cila tha se përmes tij do të dëshmohen parregullsitë e shumta ndër vite që kanë ndodhur në MPJD.
Sipas saj, ky komision nuk duhet ta përkufizojë punën vetëm në vitet 2021-2023, megjithëse theksoi se në shërbimin diplomatik ka bërë një reformë të thellë.
Ajo shtoi se të gjitha vendimet e marra sa i përket gradimeve kanë qenë të rregullta, siç tha janë dëshmuar edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.
“E mirëpres shumë mundësinë dhe iniciativën për krijimin e një komisioni hetimor që do të merret me punësimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. E vetmja gjë që do të lusja Kuvendin është që në përkufizimin apo titullin e këtij komisioni të krijohet mundësia për të treguar apo demonstruar që nuk bëhet fjalë vetëm për vitet 2021-2023, por bëhet fjalë për të gjitha punësimet në kuadër të MPJ-së dhe asaj të diasporës. Përndryshe e vlerësoj shumë këtë mundësi për të njoftuar opinionin e gjerë në Kosovë që të gjitha thashethemet, të cilat ekzistojnë për të tashmen dhe të kaluarën për të gjitha faktet që do t’i shpërfaqim gjatë punimeve të këtij komisioni, do të arrijnë të krijojnë një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur përgjatë viteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si një prej institucioneve më të përfolura për parregullsitë e shumta që kanë ndodhur përgjatë viteve”, tha ajo.
Gërvalla përmendi ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, që sipas saj gjatë periudhës së tij nuk janë respektuar asnjë kriter i konkurseve, punësimit dhe se janë caktuar ambasadorët dhe konsujt në oda, kafe dhe që kanë qenë pjesë pazareve politike.
Madje theksoi se themelimi i këtij komisioni po bëhet si shkak i luftës së brendshme në PDK, për të diskredituar Hoxhajn.
“Me vete kam vendime të panumërta të mëparshme, në të cilat jo vetëm që nuk janë respektuar kriteret e konkurseve, por nuk është respektuar as edhe një kriter i punësimit bazuar në ligjet e Kosovës. Me të njëjtin vendim ish-ministri Enver Hoxhaj, edhe e emëron anëtar të shërbimit të jashtëm personin dhe ia cakton gradën konsull dhe ia cakton emërimin në misionin ku ka shkuar. Të mos flasim edhe për emërime që janë caktuar në oda, në kafe dhe që kanë qenë pjesë e pazareve në prag të zgjedhjeve. Prandaj pavarësisht nga vjen kërkesa dhe me cilat motive vjen, kam përshtypjen që kjo kërkesë që ka ardhur për këtë komision është pjesë e luftës së brendshme brenda PDK-së për të diskredituar persona të caktuar, siç është ish ministri Enver Hoxhaj, sesa që kanë të bëjnë me mua personalisht”, theksoi Gërvalla.
Megjithatë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se mandati i këtij komisioni hetimor është në periudhën 2021-2023, ashtu siç ka qenë kërkesë në propozimin e parashtruar.
“Vetëm për çështje procedurale, mandati i komisionit hetimor parlamentar në MPJD mbetet ashtu siç ka qenë kërkesë e propozuesit”, theksoi ajo.
Pro themelimit të këtij komisioni votuan 62 deputetë, dy ishin kundër dhe një abstenim.
Në anën tjetër, Kuvendi nuk pati kuorum për të themeluar komisionin tjetër hetimor, në lidhje mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, pasi nuk morën pjesë në votim deputetët e mazhorancës.
Deputetët miratojnë në parim projektligjin për KPM-në
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. 62 deputetë kanë marrë pjesë në votim, ku 61 prej tyre kanë qenë pro, një kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji lidhur me monitorimin e mediave, përmes të cilit video-incizimet dhe audio materialet e mediave online, nuk është pritur mirë nga vetë mediat. Ky projektligj me rregulloret të cilat i përmban, është konsideruar si sulm dhe tendencë e qeverisë për të penguar mediat në punën e tyre.
Në seancën e sotme plenare është miratuar edhe projektligji për sport. Kjo nismë legjislative ka marrë mbështetjen e 61 deputetëve.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar në lexim të parë edhe Projektligjin për tekstet shkollore me 62 vota pro.
Ndërkaq, Kuvendi nuk pati kuorum për Projektligjin për gjendjen civile, pasi vetëm 54 deputetë kanë marrë pjesë në votim.
Kuvendi miraton në parim projektligjin për KPK-në
Kuvendi ka miratuar në parim projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Kjo nismë legjislative ka marrë përkrahjen e 61 deputetëve, asnjë votë nuk ishte kundër dhe asnjë abstenim.
Para fillimit të seancës plenare, Partia Socialdemokrate ka organizuar një aksion para Kuvendit të Kosovës për të kundërshtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Projektligji për fertilizim të asistuar, nuk ka kuorum për votimin e amendamentit
Për herë të dytë është hedhur në votim propozimi i amendamentit të deputetit Visar Korenica.
Vetëm 54 deputetë kanë marrë pjesë në votim, për çka Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kushte për të miratuar këtë amendament. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka abstenuar për amendamentin e katërt të këtij projektligji.
Në rend dite ka qenë votimi në lexim të dytë të Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Pro amendamentit të katërt ka qenë Labinotë Demi Murtezi, por jo edhe deputeti Visar Korenica, i cili vetë ka propozuar këtë amendament.
“Ende po e mbështesim të njëjtin mendim për shkak të defekteve që ka, ky ligj duhet të tërhiqet. Prandaj është ky lloj dakordi për mos pjesëmarrje”, deklaroi ai.
Shtyhet votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
Nuk ka pasur kuorum në Kuvendin e Kosovës për t’u votuar marrëveshjet ndërkombëtare gjatë seancës të së enjtes.
Votimi është shtyrë për një seancë tjetër.
Zemaj: Ka mungesë të barnave në spitale, po tentohet të fshihen keqpërdorimet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave. Ai paralajmëroi se do të ndjek të gjitha rrugët institucionale që të dalin në pah, siç tha ai, të gjitha keqpërdorimet e abuzimet. Megjjithatë, Zemaj u shpreh se këto po tentohen të fshihen nga pushteti.
Në seancë plenare, ai shtoi se në spitalet e Kosovës çdo ditë e më tepër ka mungesë të barnave.
Ai shtoi se ka kërkuar analizimin dhe mbikëqyrjen e listës esenciale të barnave, për çka tha se pushteti nuk e ka pranuar.
Haradinaj: Sot ka qenë e udhës me dhënë ndonjë lajm të mirë për mësimdhënësit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur sot gjatë ditës.
Haradinaj ka thënë se në ‘Ditën e Mësuesit’, qeveria do të duhej të jepte lajm të mirë për mësimdhënësit.Ai ka kritikuar qasjen e qeverisë ndaj kësaj kategorie, teksa ka thënë se hipokrit janë të gjithë deputetët që sipas tij përkrahin ndryshimet ligjore që heqin vitet kontributdhënëse të mësuesve.
“Sot në ditën e mësuesit po mungon qeveria, nuk është këtu. Në këtë ditë ka qenë e udhës me e dhënë ndonjë lajm të mirë për mësimdhënësit. Nuk ka ditë me të duhur se kjo, me ardh pjesëtari i qeverisë, me njoftu takimin e qeverisë, me tregu çka ka ndërmarrë me përmirësu pozitën e mësimdhënësve. Nuk ka ndodh kjo. Jemi hipokrit të gjithë ne që rrehim shuplaka për veteranët e arsimit e të njëjtën kohë përkrahim ndryshimet ligjore për me ju heq vitet kontributdhënëse” – është shprehur ai.
Ndërsa ka thënë se Qeveria përmes arrogancës së numrave po punon në ndryshimin e kontratave individuale të mësimdhënësve.
“Kjo po ndodh në parlamentin e Kosovës, të dashur mësues po ju rrejmë me këto shuplaka. Qeveria Kurti nga këta që rrehen shuplaka për ju. Po punohet prapa shpine me arrogancën e numrave me ndryshu kontratën individuale, pra me ju cenu të drejtat që i kanë të njohura me ligj, nuk është në rregull kjo pafytyrësi e jona në këtë ditë”, ka thënë ai./kallxo
Hoxha: Në krye të sektorit të arsimit është një ministre përçarëse
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se vetëm në dy muajt e fundit rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova. Ajo u shpreh se qeveria aktuale ka injoruar, bullizuar e anashkaluar përfaqësuesit e sektorit të arsimit. Hoxha tha se mungesa e vëmendjes së qeverisë është shqetësuese, duke shtuar se në krye të sektorit të arsimit është një ministre përçarëse.
Teksa uroi të gjithë mësimdhënësit në ditën e mësuesit, Hoxha tha se të njëjtit po ballafaqohen me sfida të shumta.
“Sot në liri e pavarësi mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj ofrimit të kushteve më të mira të punës për mësimdhënësit është shqetësuese. Duke neglizhuar kushtet e tyre të punës, qeveria thellësisht zvogëlon vlerën e tyre të punës të palodhur dhe përkushtimin e tyre. Shpreh revoltën time dhe zhgënjimin tim për mos trajtimin e arsimit si prioritet. Dua të përkujtoj se në mesin e premtimeve të shumta që kishin dhënë qeveria Kurti, ishte një ‘Qeveria e Kurtit do të jetë qeveria e arsimit, për arsimin’. E megjithatë nëse ne e shikojmë në retroskpektivë, ju e injoruat atë e anashkaluat dhe madje e bullizuat përfaqësuesit e tyre”, deklaroi Hoxha.
Sipas saj, asnjë vit nuk kanë filluar mësimin shkollat me gëzim dhe normalitet. Ajo tha se greva e sindikalistëve mësimdhënës, injorimi i kërkesave dhe mungesa e dialogut mbetet shqetësim.
“Nga 160 çerdhe të premtuara, keni rezultuar as 10 për qind të tyre. Rezultati në PISA është më keq se që ishte edhe në vitin 2018 e të tjera e të tjera. Dhe si për ironi sot në liri, mësimdhënësit vetëm në këto dy muaj e fundit rreth 600 sosh janë larguar nga Kosova. Është e dhimbshme të shohësh se si shkollat përballen me resurse të mangëta, programe të vjetra, punëtorë të arsimit të kërcënuar dhe të demotivuar dhe të nënvlerësuar me pasiguri, pa qasje, pa integrim e motivimeve e rezultate të kënaqshme”, u shpreh ajo.
Deputetja e PDK-së shtoi se vëmendja për arsimin duhet të jetë mobilizim kombëtar, institucional e qytetar.
“Shpreh revoltën time që në krye të këtij sektori kemi vendosur një ministre përçarëse dhe jo kompetente. Një ministre që jep shembullin e keq prej shkeljes së Kushtetutës e tutje. Të investosh në arsim është të investosh në të ardhmen tonë, të vlerësosh kontributin e tyre në të kaluarën, është të motivosh ata për më shumë punë dhe përkushtim duke vënë në dritë rol modele të reja për fëmijët e të rinjtë e Kosovës”, përfundoi ai.
Betohet komisionerja parlamentare për FSK-në
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës është betuar komisionerja parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqiraj.
Gjatë betimit, ajo tha se do i kryejë me besnikëri dhe në mënyrë të paanshme detyrat dhe funksionet që i ka të përcaktuara me ligj
Pas betimit, ajo ka nënshkruar edhe tekstin e betimit.
Remzie Zeqiraj është zgjedhur komisionere parlamentare për FSK-në me datën 14 shkurt të këtij viti.
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare.
Në njoftimin e bërë për media, thuhet se në rend dite është votimi i ndryshimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial.
Po ashtu, në rend dite është edhe votimi i Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve ai i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe IVF si dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Seanca do të nisë në orën 10:00.